
Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com
Gjykata në Prishtinë e liron turkun e kërkuar nga Gjermania
Gjykata në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj turkut të arrestuar muajin e kaluar në Kosovë, dhe njëkohësisht ka urdhëruar lirimin e tij.
Turku me shtetësi gjermane dhe turke, Sinan Tataroglu ishte arrestuar më 12 korrik të këtij viti ndërsa ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh.
Tataroglu ishte arrestuar si i kërkuar se ka kryer veprën penale të vjedhjes grabitqare të paraparë me Kodin Penal të Gjermanisë.
Deri te vendimi mbi refuzimin e kërkesës për vazhdim të paraburgimit dhe rrjedhimisht lirimin e tij ka ardhur pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës, ka vlerësuar se kërkesa për vazhdimin e paraburgimit është paraqitur jashtë afatit dhe njëkohësisht, Ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar parasheh se gjykata sipas detyrës zyrtare e liron personin nëse brenda 40 ditësh nga arrestimi nuk parashtrohet kërkesa zyrtare me dokumentet përcjellëse për ekstradim.
Në rastin konkret, sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që e ka siguruar KALLXO.com, nuk është parashtruar një kërkesë e tillë.
Ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.