Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata merr vendim për drejtorin e arrestuar të Trafikut Urban

Ruhan Beha, zyrtar në Trafikun Urban, pritet të qëndrojë 30 ditë në paraburgim, pasi Gjykata e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë.

I njëjti po dyshohet se ka kryer veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare  dhe ushtrim të ndikimit.

Gjykata e Prishtinës pas zhvillimit të seancës dhe dëgjimit të palëve  ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe të pandehurit Ruhan Behës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Gjykata e Prishtinës me datën 14 shkurt ka mbajtur seancën për caktimin e paraburgimit ndaj drejtorit të trafikut publik.

Avokati Flakron Sylejmani mbrojtës i të pandehurit Ruhan Beha për Kallxo.com tha se “Vendimin për paraburgim e kemi goditur me ankesë dhe jemi duke pritur vendimin e gjykatës së Apelit”.

Kallxo.com ka raportuar se me 13 shkurt Beha ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim në vartësit e tij për pranimin e një kandidateje në një konkurs punësimi.