Gjina Zeqiri | Foto: KALLXO.com

Gjykata liron nga akuzat gjinekologen Gjina Zeqiri

Gjykata në Prishtinë e ka liruar nga akuzat Gjina Zeqirin, gjinekologen e akuzuar për transplantim të organeve dhe qelizave njerëzore.

Ndonëse në arrati, Gjina Zeqiri ishte gjykuar në mungesë dhe ndaj saj Gjykata e Prishtinës, në krye me gjykatësin Beqir Kalludra, mori aktgjykim vendim lirues.

Gjithashtu është anuluar edhe urdhri për konfiskimin e objektit spitalor dhe sendeve tjera të sekuestruara.

Prokuroria e akuzon Zeqirin për veprat penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor si dhe atë të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Ilfete Baxhaku e Agron Devaja, ndërsa ndaj dy shtetasve turq Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë është veçuar procedura pasi që janë shtetas të huaj dhe nuk ndodhen në Kosovë.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Gjina Zeqiri, Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë në klinikën private “Global Hospital”, e cila gjendet në Prishtinë në nëntor të vitit 2014, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, pasi që me rastin e trajtimit mjekësor të pacienteve në sektorin e sterilitetit (IVF), haptas nuk kanë përdorur masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe kanë përdorur produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale me pa banderolë dhe me afat skaduar.Në bazë të aktakuzës në periudhën prej vitit 2012 e deri me datën 14 nëntor 2014 në spitalin privat “Global Hospital”, e akuzuara Gjina Zeqiri-gjinekologe, drejtoreshë në këtë klinikë, paraprakisht pa autorizim dhe në kundërshtim për Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, pa arsye mjekësore nga persona të ndryshëm-donatorë-të dëmtuar, duke e shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit, ka blerë qeliza vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave.

Gjykimin ndaj Gjina Zeqirit mund ta lexoni në këtë link.