Shpallja e aktgjykimit ndaj Hysri Peqanit - Burdushit - 08.11.2019

Gjykata Kushtetuese vendosi për pasurinë e 'Burdushit'

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për tri vepra penale ndaj Hysri Peqanit, të njohur si “Burdushi”.

Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, armëmbajtja pa leje dhe shpërlarja e parasë janë veprat penale për të cilat Prokuroria Speciale po e akuzon “Burdushin”.

Gjatë procedurës hetimore, që kishte filluar nga Prokuroria e Prizrenit, Gjykata Themelore në Prizren sipas kërkesës së Prokurorisë kishte lëshuar tri urdhëresa për ndalim afatgjatë të pasurisë, respektivisht me datë, 8 nëntor, 8 gusht, dhe 14 gusht të vitit 2019.

Këto urdhëresa të Gjykatës së Prizrenit për ndalimin afatgjatë të pasurisë, Hysri Peqani, i njohur si Burdushi, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e Gjykatës janë marrë në shkelje kushtetuese të “diskriminimit racor”.

Por Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se procedurat para Gjykatave kompetente nuk kanë përfunduar, andaj Gjykata Kushtetuese i ka shpallur kërkesat e ‘Burdushit’ si të papranueshme dhe të parakohshme.

‘Burdushi’ në Gjykatën Kushtetuese ka atakuar vendimet e Gjykatës për dy raste të ndara.

Rasti i parë lidhet me veprën penale të mashtrimit, lëndë kjo e cila tashmë është parashkruar.

Kurse rasti i dytë bëhet fjalë për dy vendime për ndalim të pasurisë, e për të cilin rast tashmë Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për tri vepra penale.

Dosja e Prokurorisë Speciale: “Burdushi” përfitoi 1 milion euro nga veprimtaria e tij

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale Hysri Peqani – “Burdushi” që nga vitit 2005 ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion Euro.

Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie, 55 fishekë në kundërshtim me Ligjin për armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale Burdushi që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parave, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale, duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.