Gjykata Kushtetuese: Aktgjykimi nuk është falsifikuar

Ditëve të fundit ka pasur shumë polemika e dilema lidhur me interpretimin e normave kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Dilema e fundit kishte të bënte me interpretimin e nenit 82, paragrafit 2, të Kushtetutës, nëse pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit a duhet vendi të shkojë në zgjedhje apo të krijohet Qeveria e re.

Politikanë e analistë, profesorë universitarë e qytetarë, i madh e i vogël, kush nuk la pa e interpretuar Kushtetutën, megjithëse, siç po shihet, paqartësitë në opinion vetëm po shkojnë duke u rritur.

Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të fundit ka konstatuar se dekreti i presidentit Hashim Thaçi është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Ndonëse në opinion ka pasur reagime e pakënaqësi lidhur me këtë vendim, sa u mendua se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të fundit do t’u japë fund dilemave lidhur me interpretimin e Kushtetutës, gjatë ditës së sotme u shtua edhe një dilemë tjetër.

Disa përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje po pretendojnë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar sot, është i falsifikuar.

Madje, kjo parti ka kërkuar që të pajiset me procesverbalet dhe transkriptet e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, pas dyshimeve se aktgjykimi është falsifikuar.

Lidhur me këto pretendime me qëllim të informimit të saktë dhe sqarimit të situatës në opinion, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja mohon kategorikisht pretendimet për falsifikim të aktgjykimit.

“Deklaratat dhe akuzat “për falsifikim” janë të pavërteta dhe të pasakta. Kjo sepse Gjykata Kushtetuese, të enjten e kaluar, më 28 maj 2020, ka publikuar vetëm njoftimin me Përfundimet e Gjykatës lidhur me Aktgjykimin KO72/20 dhe jo edhe Dispozitivin lidhur me Aktgjykimin KO72/20. Teksti i plotë i Aktgjykimit i publikuar sot, përmban të gjithë arsyetimin, përfundimet e Gjykatës dhe Dispozitivin e saj”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kësaj përgjigje, Gjykata ka siguruar se përfundimet e publikuara në aktgjykimin e sotëm janë identike me ato të publikuara në njoftimin e datës 28 maj 2020.

“Përfundimet e Gjykatës, të publikuara sot përmes Aktgjykimit (shih paragrafin 546) janë identike me ato të publikuara më 28 maj 2020 (shih paragrafin 1). Dispozitivi i Aktgjykimit KO72/20, duhet të lexohet në dritën e arsyetimit të këtij Aktgjykimi. Përmes kësaj përgjigjeje, të gjithë gjyqtarët e Gjykatës njëherësh u pajtuan unanimisht që edhe të adresojnë spekulimet e pabazuara të sotme në media”, thuhet në përgjigje.

Gjykata Kushtetuese më 28 maj 2020, përmes një njoftimi bëri të ditur se dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën.

Me anë të këtij vendimi Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë formimit të Qeverisë Hoti, duke e gjetur kështu kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lidhur me interpretimin e kësaj norme, më 30 prill 2020, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi së bashku me 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës kanë parashtruar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi, me të cilin Avdullah Hoti nga LDK i propozohej Kuvendit të  Kosovës si kandidat për kryeministër, për të formuar Qeverinë e re.

Në aktgjykimin e publikuar sot, në arsyetim, Gjykata Kushtetuese konstaton se dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri të plotë me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, që përcakton mënyrën e shpërndarjes së Kuvendit, me arsyetimin se votimi i suksesshëm i një mocioni të mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit për çka sipas Gjykatës rezulton me mundësinë e formimit të një Qeverie të re.

Për të ardhur deri te ky përfundim Gjykata ka konstatuar se ka marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit, siç janë rastet e cituara nga palët, opinionet e Komisionit të Venecias, analizën krahasimore të kushtetutave të vendeve të tjera e deri te dokumentet përgatitore për hartimin e Kushtetutës.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese përmend faktin se normat kushtetuese janë të strukturuara në atë mënyrë që për të ardhur deri tek një përfundim i saktë dhe i drejtë ato duhet të lexohen në ndërlidhje me njëra tjetrën ngase vetëm në atë mënyrë sipas Gjykatës nxirret kuptimi i saktë i tyre.

Sipas po këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se pas votimit të suksesshëm të një mocioni të mosbesimit, Kuvendi shpërndahet detyrimisht vetëm në tri raste: nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit për kryeministër nga presidenti, nuk mund të formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh prej fillimit të procedurës së zgjedhjes së presidentit, nuk zgjidhet ky i fundit. Prandaj, në rast të votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj një Qeverie, sipas Gjykatës Kushtetuese, presidenti ka mundësinë, por jo detyrimin të shpërndajë Kuvendin

“Mundësia e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e Kuvendit, por duhet të ushtrohet në bashkërendim me vullnetin e shumicës së nevojshme të përfaqësuesve të popullit të përfaqësuar në Kuvend. Përdorimi i foljes “mund” në kontekst të paragrafit të 2 të nenit 82 të Kushtetutës reflekton vetëm mundësinë e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, bazuar në konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend”, thuhet më tej në aktgjykim.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, presidenti nuk ka kompetencën ta shpërndajë Kuvendin pa vullnetin e Kuvendit, me arsyetimin se Kuvendi është institucioni i vetëm në Republikën e Kosovës që zgjidhet drejtpërdrejt nga populli për një mandat katër (4) vjeçar.

Arsyetimin për mosshpërndarjen e Kuvendit në rast të votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit, Kushtetuesja e lidh me pragun e lartë të votës së nevojshme për shpërndarje të Kuvendit (2/3 e të gjithë deputetëve), krahasuar me pragun më të ulët të votës së nevojshme për kalimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit (61 votave të deputetëve).

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se te përfundimi se presidenti nuk e ka fuqinë e shpërndarjes së Kuvendit, ka ardhur duke u bazuar edhe në opinionet e Komisionit të Venecias.

“Po të mund të shpërndante Presidenti njëanshëm Kuvendin pas një mocioni mosbesimi, atëherë Presidenti do të kishte fuqinë e barabartë me dy të tretat (2/3) e votave të përfaqësuesve të popullit si dhe do të reduktonte në mënyrë arbitrare vullnetin e nevojshëm të dy të tretave (2/3) të deputetëve për shpërndarje të Kuvendit në vetëm gjashtëdhjetë e një (61) vota, aq sa janë të nevojshme për një mocion mosbesimi”, thuhet në këtë aktgjykim.

Në bazë të krahasimit edhe me kushtetutat e vendeve të tjera, Gjykata ka gjetur se asnjë kushtetutë e vendeve të tjera nuk e përcakton shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit vetëm me faktin që është votuar suksesshëm një mocion i mosbesimit.

Arsyetimin e vendimit, Gjykata Kushtetuese e bazon edhe në mënyrën e shpërndarjes së kuvendit gjatë legjislaturave të kaluara, duke deklaruar se rrethanat e rastit konkret, dallojnë qartazi nga ato të legjislaturave të kaluara.

“Legjislatura e tretë dhe pestë, janë shpërndarë nga Presidenti në vitin e tretë të mandatit të tyre, në vitin 2010 dhe 2017, respektivisht, kur në Kuvend nuk ka pasur vullnet e as shumicë të nevojshme për të formuar një Qeveri të re; ndërkaq, (ii) legjislatura e katërt dhe gjashtë, në vitin 2014 dhe 2019, respektivisht janë vet shpërndarë me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve dhe kjo  shpërndarje vetëm është dekretuar nga Presidentët përkatës”, thuhet në aktgjykim.

Shpërndarjen e Kuvendit pa vullnetin e përfaqësueseve të popullit, Gjykata e ka konsideruar si veprim arbitrar e kundërkushtetues duke argumentuar se sipas nenit 95 të Kushtetutës, presidenti ka qenë i detyruar të fillojë procedurat për t’i dhënë mundësinë formimit të një qeverie të re.

Ndërsa sa i përket afatit kohor brenda të cilit duhet të bëhet propozimi për kandidatin për kryeministër, Gjykata ka arsyetuar se ky afat duhet të analizohet në përputhje me afatet kushtetuese që Kushtetuta ka përcaktuar për qëllim të formimit të Qeverisë, afate këto të përcaktuar me nenin 95.

Sipas Gjykatës ndonëse Kushtetuta decidivisht nuk e ka përcaktuar një afat përkitazi me përcaktimin e mandatarit për kryeministër, nga analizimi i mëtejshëm rezulton se është e vetëkuptueshme, që konsultimi formal për propozimin e kandidatit të ri për kryeministër, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur duke ngërthyer në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi.

Lidhur me mungesën e propozimit të mandatarit për kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve, Gjykata në këtë aktgjykim ka theksuar se ka analizuar shkëmbimin e letrave ndërmjet kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi, më ç ‘rast nga analizimi i shkresave në fjalë ka ardhur në përfundim që këto shkresa në vazhdimësi përmbajnë në njërën anë kërkesën e presidentit për propozimin e kandidatit për kryeministër si dhe në anën tjetër mungesën e propozimit dhe kërkesën për shpërndarje të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

“Gjykata thekson se në rrethanat e rastit konkret, partia politike që ka udhëhequr Qeverinë ndaj të cilës është votuar një mocion mosbesimi nga Kuvendi, nuk ka bërë një propozim për mandatar tjetër për Kryeministër për qëllim të formimit të Qeverisë së re. Megjithatë, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se ata asnjëherë nuk e kanë refuzuar shprehimisht marrjen e këtij mandati”, thuhet në përfundimin e Gjykatës.

Në bazë të përfundimeve të Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar se caktimi i mandatarit për kryeministër kërkon ndërveprimin e menjëhershëm të presidentit dhe partisë ose koalicionit fitues, prandaj sipas Gjykatës, refuzimi nënkupton mos ndërmarrjen veprimeve me qëllim të përmbushjes së këtij detyrimi, përkatësisht në rastin konkret mungesën e veprimeve konkrete dhe propozimit të kandidatit për kryeministër nga partia ose koalicioni fitues, Gjykata e ka konsideruar si refuzim.

“Nga shkëmbimi i shkresave zyrtare në mes Presidentit dhe partisë politike fituese, në këtë rast, jo vetëm që nuk ka propozim për mandatar, por nuk reflektohet as edhe një indikacion i vetëm lidhur me qëllimin për të propozuar një mandatar për Kryeministër. Përkundrazi, kërkesa e këtyre shkresave është shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Këto kërkesa përjashtojnë mundësinë e propozimit të një mandatari për Kryeministër’, thuhet në aktgjykim.

Duke u bazuar në lartpërmendurat, Gjykata ka arsyetuar se presidenti me të drejtë ka konstatuar shterimin e mundësive kushtetuese për të përcaktuar një kandidat për kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve dhe që sipas Gjykatës zhvillimi i procedurave të mëtejme për mandatimin e kandidatit të ri për kryeministër, në konsultim me të gjitha partitë e tjera politike, gjë që më pas rezultoi me dekretin e presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për formimin e Qeverisë së re LDK-AAK-NISMA, është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Deri tek ky vendim Gjykata Kushtetuese erdhi pas situatës së krijuar pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të datës 25 mars 2020.

Ky mocion i iniciuar nga vetë  partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, gjeti mbështetjen e më shumë se 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pas rrëzimit të Qeverisë, presidenti i vendit duke pretenduar në zgjidhje dhe daljen nga situata e krijuar, disa herë dërgoi letra në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje duke kërkuar emrin e mandatarit të ri të Qeverisë ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje përgjigja ishte se prioritet është menaxhimi i pandemisë, por assesi nuk refuzuan mandatin, ndërsa gjithashtu kërkuan edhe sqarime nga Presidenti Thaçi mbi bazën kushtetuese juridike të letrës së tij duke kërkuar thirrjen precize në cilin paragraf të nenit 95 është thirrur.

Pas, kësaj, më datë 22 prill, presidenti Thaçi mbajti takimin me përfaqësuesit e partive politike, ku me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, të gjithë u deklaruan se janë për forimimin e një qeverie të re dhe jo për zgjedhje, kjo edhe për shkak të gjendjes emergjente të pandemisë.

Pas, kësaj, më datë 30 prill, Thaçi dekretoi Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë së re LDK-AAK-NISMA, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese e cila dy ditë më pas pezulloi dekretin e Thaçit deri në vendosjen meritore të rastit.

Në ndërkohë, veç ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për datën 2 maj 2020.

Pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosjes ishin se presidenti Thaçi nuk ka mundur ta konsiderojë si refuzim përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe gjithashtu nuk ka mundur të përcaktoj afat brenda të cilit duhet të përgjigjet Lëvizja Vetëvendosje, e po ashtu, se ka tejkaluar autorizimet dhe përgjegjësitë e tij duke marrë iniciativën për formimin e qeverisë së re, pasi që sipas tyre, votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, sipas nenit 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka për pasojë shpërbërjen e Kuvendit dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja.

Po ashtu, duke u referuar edhe në aktgjykimin e vitit 2014,  Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar që Gjykata Kushtetuese të gjejë në kundërshtim me Kushtetutën Dekretin e presidentit Thaçi për t’i dhënë të drejtën formimit të Qeverisë së Avdullah Hotit.

Në anën tjetër, ishte pretendimi i presidentit Thaçi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, se Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar të drejtën e formimit të Qeverisë duke i dhënë të drejtën kështu partisë me rezultatin e dytë në zgjedhje, ta formojë Qeverinë.