Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Gjykata jep detaje se si ndodhi vrasja e 83 vjeçares në Ferizaj

Gjykata në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.Ç. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Në njoftimin e Gjykatës se Ferizajt thuhet se i dyshuari me dashje e ka vrarë nënën e tij.

“I pandehuri dyshohet se më 10 gusht 2020, në shtëpinë e përbashkët të banimit në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta nënën e tij M.Ç. e moshës 83 vjeçare, në atë mënyrë që për motive tani të panjohura e ka goditur 4 herë me thikë në pjesën e përparme të kraharorit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore nga të cilat ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Ferizaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve, masë e cila do të mbahet në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në QKUK në Prishtinë.

“Palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, përfundon njoftimi i Gjykates.