Arkiv - Etem Arifi (në këmbë) gjatë një seance gjykimi. Foto: Kallxo.com

Gjykata ia shtynë deputetit dënimin me burgim për dy muaj

 

Deputetit Etem Arifi, Gjykata e Prishtinës ia ka shtyer dënimin për 2 muaj për veprën penale mashtrim me subvencione.

Deputeti Arifi, është dënuar më 1 vjet e 3 muaj nga Gjykata e Apelit për veprën penale mashtrim me subvencione.

Ndaj të njëjtit kryetarja e Gjykatës kishte lëshuar urdhëresë që me datën 9 mars të paraqitej në qendrën e paraburgimit në Prishtinë për vuajtje të dënimit.

Por pasi i njëjti u kontaktua nga KALLXO.co, tha se nuk ishte mirë me shëndet dhe gjykata e kishte shtyrë ekzekutimin e dënimit.

Ndërsa shtyrjen e dënimit ndaj deputetit Arifi e konfirmoi edhe zyrtarja për informim Mirlinda Gashi e cila ka njoftuar se: “Me datën 2 mars i dënuari Etem Arifi ka  bërë kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit e cila i është aprovuar me 4 mars dhe i është shtyrë ekzekutimi i dënimit për 2 muaj”.

Dje KALLXO.com ka raportuar se i njëjti deputet kishte votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Kujtojmë se Etem Arifi dhe Bajram Gashi më 20 prill 2018 janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin, dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe

Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.

Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.

Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.