Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Gjykata heq masën e arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

 

Gjykata në Prishtinë ka zëvendësuar masën e sigurisë nga arresti shtëpiak në masën lajmërim në stacionin policor ndaj Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, të akuzuar për në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, vrasje e cila kishte ndodhur në vitin 2018.

Ky vendim i gjykatës erdhi pas kërkesës së mbrojtësve  të të akuzuarve.

Në seancën e sotme ishte parapare që versionin e tyre në lidhje më këtë ngjarje ta japin Stanko Agjiq dhe M.K., por vetëm Agjiq ishte prezent.

Stanko Agjiq rrëfimin e tij për këtë rast e nisi duke treguar raportet shumë të mira të cilat i kishte pasur me tashmë të ndjerin Ivanoviq.

“Oliveri ishte kumbar i pagëzuar, kemi qenë në marrëdhënie shumë të afërta dhe jemi parë shumë shpesh”- tha Agiq.

Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarës Silvana Arsoviq, Jovana Filipoviq se kur ishte hera e fundit që e keni shkuar në zyret e Oliver Ivanoviqin, “sa më kujtohet ishte 6 janari, i kam dërguar banjak paradite pasi që ka qenë dita e buzmit”- u përgjigj dëshmitari

Tutje dëshmitari tha që në atë ditë kamerat në zyre punonin pasi që kishte vërejtur dritat e kuqe që ndodhen në kamera.

Agiq i tregoi gjykatës që lajmi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit e kishte marrë nga Babi i tij.

Në pyetjen e prokurorit të specializuar Burim Qerikini se në cilën dhomë të zyrës ishte i  vendosur  hard-disku ku mund të shiheshin kamerat, dëshmitari tha që hard-disku ishte i  vendosur në zyrën e vogël pranë sallës për mbledhje.

“Hardisku ishte i vendosur ne zyrën e vogël pranë sallës për mbledhje, kurse kompjuterët e tjerë ishin vetëm monitorues, kishin mundësi vetëm me monitoru”- u përgjigj dëshmitari.

Agiq tutje tregoi momentin kur kishte shkuar në zyre pas natës tragjike dhe kishte parë një zyrtar policor duke hequr diskun dhe të njëjtat i kishte vendosur në një qese.

Dëshmitari tha për fund që Ivanoviq ishte shume i kujdesshëm kur bëhej fjalë për aspektin e sigurisë së vet dhe të anëtarëve të partisë.

Seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar me datë 29 nëntor me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Millan Radoiçiq ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit special Sylë Hoxha. Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa për këtë pati reagime edhe nga ish prokurori Hoxha. Pas heqjes së fletarrestit, Radoiçiq ishte futur në Kosovë, por Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta arrestonte.

Prokurori i tanishëm i rastit, Burim Çerkini, pati thënë për KALLXO.com se Millan Radoiçiq është pjesë hetimeve, porse për të nuk ka aktakuzë.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Raportimet e KALLXO.com mund t`i lexoni duke klikuar në LINK