Foto: Kallxo.com

Gjykata e Prizrenit hedh poshtë aktakuzën ndaj asamblistit të AAK-së

Tetë prova materiale dhe 40 vërtetime mbi pranimin e laptopëve i kishte propozuar prokurorja Ervehe Gashi në aktakuzën ndaj asamblistit të Asamblesë së Prizrenit, Ilir Baldedaj.

Megjithatë, gjyqtari i rastit, Xheladin Osmani, ka marrë vendim dhe ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas vendimit të tij, nuk ka prova të mjaftueshme që të mbështetet dyshimi se Baldedaj ka kryer veprën penale.

Ndaj këtij vendimi prokurorja Ervehe Gashi ka të drejtë ankese në afat prej 5 ditësh.

Ilir Baldedaj, që sot mban postin e asamblistit nga radhët e AAK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, akuzohet për kohën sa mbante postin e Drejtorit të Administratës nën qeverisjen e Ramadan Mujës.

Gjykata e Prizrenit ka vlerësuar se aktakuza e Prokurorisë është në kundërshtim me provat materiale të cilat i janë bashkangjitur kësaj aktakuze.

“Aktakuzë konfuze dhe e paqartë”, “përshkrim faktik i gabuar – joprofesional”, është përshkrimi përmes të cilit gjyqtari i rastit e ka arsyetuar vendimin për hedhje të aktakuzës.

Sipas Gjykatës nuk mund të qëndrojë konstatimi i Prokurorisë në aktakuzë se prej datës 13.5.2018 e deri më datën 22.5.2018 i akuzuari ka qenë person zyrtar, respektivisht drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, pasi që për këtë nuk ka paraqitur asnjë provë.

“Gjykata nuk mund të kuptojë pse brenda periudhës kohore të cekur, prokurori i ka dhënë cilësi të personit zyrtar të akuzuarit, pasi që me asnjë provë nuk mund të vërtetohet raporti i të akuzuarit me detyrën e tij, që gjatë kësaj kohe i njëjtë ka qenë person zyrtar”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Për Gjykatën kjo aktakuzë e Prokurorisë është konfuze dhe e paqartë, sepse i akuzuari Ilir Baldedaj për kohën kur akuzohet se ka kryer veprën penale nuk ka pasur asnjë autorizim si person zyrtar për të kryer veprim si drejtor i Administratës Komunale.

Kjo vërtetohet edhe nga provat materiale saktësisht nga betimi i anëtarit të Kuvendit Komunal të Prizrenit i datës 22.2.2017. Që nga ajo ditë i akuzuari Ilir Baldedaj mban pozitën e asamblistit në Kuvendin Komunal të Prizrenit.

“Përshkrim faktik i gabuar – joprofesional nga ana e prokurorit të shtetit”, e ka quajtur Gjykata aktakuzën e Prokurorisë, “sepse në aktakuzë është përfshirë personi zyrtar i cili fare nuk ka të bëjë me rastin”, dhe se, sipas Gjykatës, “gabimisht janë përshkruar veprimet inkriminuese të cilat supozohet se janë marrë  nga ana e të akuzuarit”.

“Ilir Baldedaj në periudhën kur përshkruhet aktakuza se është kryer vepra penale, nuk ka qenë drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, i njëjti gjatë kësaj kohe ka mbajtur pozitën e asamblistit pranë Kuvendit Komunal Prizren”, thekson Gjykata.

Baldedaj në seancën e datës 31 tetor ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i ngarkoheshin.

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Në seancën e 23 shtatorit, Baldedaj kishte munguar në Gjykatë. Ai nuk kishte treguar arsyen e mungesës. Në atë kohë Baldedaj po kandidonte për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e koalicionit AAK-PSD.

Nga sasia totale prej 43 laptopësh, 40 prej tyre u ishin shpërndarë asamblistëve të Komunës së Prizrenit në qeverisjen e kaluar, e njohur si qeverisja Muja 2.

Në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Moskthimi i  laptopëve e ka dërguar para organeve të drejtësisë ish-drejtorin e Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj.

Pos 40 laptopëve të pakthyer, Prokuroria e Prizrenit pretendon se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.