Pallati i Drejtësisë - FOTO Fatrion Ibrahimi - KALLXO

Gjykata e Prishtinës shkel të drejtën për ankesë, dorëzon vendimin pas 120 orësh

Gjykata e Prishtinës me datën 7 shkurt kishte marrë vendim me të cilin të akuzuarit Valon Sylejmanit i kishte vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muajve për shkak të veprave  penale tentim vrasje dhe armbajtje pa leje. Por gjykata e Prishtinës këtë vendim ia kishte dërguar vetëm të paraburgosurit Valon Sylejmani, duke harruar që vendimin e njëjtë t’ia dërgojë edhe avokatit të tij Asdren Hoxhës për parashtrimin e ankesës.

Me këtë veprim të akuzuarit Sylejmani i është mohuar e drejta që të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor prej  24 orësh.

Vendimin për paraburgim, gjykata ia dorëzoi me datën 12 shkurt avokatit Asdren Hoxha edhe atë pas kërkesës së tij, deklaroi Hoxha për kallxo.com.

Me këtë rast Gjykata ka shkelur nenin 189 par.2 dhe pa.3 të Kodit të Procedurës Penale.

“2. Aktvendimi mbi paraburgimin i dorëzohet personit përkatës, mbrojtësit të tij dhe prokurorit të shtetit. Koha e dorëzimit të aktvendimit personit përkatës shënohet në shkresat e lëndës”, thuhet në Kodin e Procedurës Penale.

Ndërsa paragrafi 3 i 189 të KPP-së thotë se “Secila palë mund të paraqesë ankesë brenda njëzet e katër (24) orëve nga koha e dorëzimit të aktvendimit. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit. Nëse ankohet vetëm njëra palë, gjykata ia dërgon ankesën palës tjetër e cila argumentet e veta mund t’ia paraqesë gjykatës brenda njëzet e katër (24) orëve nga dorëzimi i ankesës. Për ankesë vendoset brenda dyzet e tetë (48) orëve nga paraqitja e saj”.

Nga data 7 shkurt e deri me datën 12 shkurt kanë kaluar 120 orë, që i bie se 96 orë është në vonesë ankesa për shkak të neglizhencës së punës së gjykatës ndonëse e njëjta ne udhëzimin e përdorimit të këshillës juridike kishte treguar se ankesa kundër këtij vendimi duhet të paraqitet brenda 24 orëve, aktvendim ky i siguruar nga Kallxo.com.

Kujtojmë se masa e paraburgimit është masa e fundit e cila shërben për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procesin penal, ruajtjen e provave, mosndikimin në dëshmitarë, pengimin e kryerjes së veprës penale ose ndonjë vepre tjetër.

Por ligjvënësi duke e ditur se me këtë masë i kufizohet liria të pandehurit në tërë kodin e procedurës penale ka paraparë që lënda me paraburgim të trajtohet në mënyrë urgjente.

Gjykata e Prishtinës ka shkelur edhe afatin 15 ditor brenda të cilit duhet të mbahej seanca fillestare nga ngritja e aktakuzës me datën 30 gusht 2019, ndërsa gjykata seancën e kishte mbajtur me  datën 20 shtator 2019, pra 5 ditë jashtë afatit ligjor për të akuzuarit që gjenden në paraburgim.

Neni 242 par.5 i KPP thotë se “5. Nëse i pandehuri është në mbajtje në paraburgim, shqyrtimi fillestar mbahet në mundësinë e parë, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas ngritjes së aktakuzës”.

Shkelja e radhës e gjykatës vazhdoi me caktimin e seancës me datën 18 dhjetor 2019, do të thotë 4 muaj pas seancës fillestare ndonëse  i akuzuari gjendet në paraburgim.

Duke shkelur dispozitën e nenit 285 par.2, i cili thotë se gjykata duhet të caktojë shqyrtimin gjyqësor brenda 1 muaji pas marrjes së vendimit të fundit.

Nga dhjetori i 2019 ishte caktuar seanca për datën 17 janar 2020, mirëpo e njëjta ka dështuar të mbahej për shkak se gjykatësja të njëjtën ditë e kishte edhe seancën në rastin e  njohur “Syri i Popullit”.

Poashtu edhe seanca e datës 12 shkurt dështoi të mbahej me arsyetimin se gjykatëses së rastit Naime Krasniqi Jashanica i është sëmurë një familjar.

Seanca e radhës në këtë çështje penale është caktuar me datën 13 mars.

Nga ngritja e akuzës me 30 gusht 2019 e deri me datën 13 mars 2020, do të kalojnë 196 ditë ose 6 muaj e 13 ditë e 5 orë që bie ndesh me dispozitën  tjetër ligjore që gjykimi para trupit gjykues duhet të përfundojë brenda 120 ditëve.

Neni 314 i KPP-së në paragrafin 1 nën paragrafin 1.2 shprehimisht parasheh kohën brenda të cilës duhet të përfundoj gjykimi.

“1.2. nëse shqyrtimit gjyqësor mbahet para trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të përfundohet brenda njëqindenjëzet (120) ditësh, përveç nëse trupi gjykues nxjerr aktvendim të arsyetuar për vazhdimin e kohës për shqyrtim gjyqësor për shkak të ndonjërës prej arsyeve nga paragrafi 2. i këtij neni”.