Gjykata e Pejës dënon veteranin e tetë të rrejshëm

Gjykata e Pejës e ka dënuar sot Ragip Gashin i cili akuzohej se ka prezantuar dokumente të falsifikuara për të përfituar kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit luftëtar të UÇK-së.

Të akuzuarit i është shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti, por ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës 2 vjeçare.

Po ashtu të akuzuarit Gashi i është shqiptuar dënimi plotësues për kompensim të dëmit në vlerë prej 1,360 euro si dhe urdhri për publikim të aktgjykimit.

Paraprakisht i akuzuari Ragip Gashi e ka pranuar fajësinë për veprimet inkriminuese të tij.

Në seancën e mbajtur sot, prokurorja e çështjes Lumturije Vuçetaj ka bërë plotësimin e aktakuzës duke propozuar qe ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënimi plotësues, për urdhër për kompensim të dëmit dhe për publikim të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës Ragip Gashi, ka vëne në lajthim organin kompetent kur pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka prezantuar dokumentin e falsifikuar me qëllim përfitimi të pagës se statusit të veteranit luftëtar, ku të dëmtuarës i shkakton dëm material në shumë prej 1,360 euro.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur 39 aktakuza lidhur me këtë dosje.

Hetimet për veteranët e rrejshëm, Prokuroria e Pejës akuzoi 21 persona deri më tani – VIDEO