Gjykata e Mitrovicës urdhëron ekzaminin psikiatrik për burrin që dyshohet se vrau gruan në Llaushë

Gjykata e Mitrovicës ka urdhëruar ekzaminin psikiatrik ndaj 51-jeçarit që dyshohet se vrau gruan e tij në Llaushë të Skenderajt.

Ndaj Skënder Qerimajt, për të cilin ka dyshim të bazuar se ka vrarë gruan e tij Lirije Qerimaj, sot është urdhëruar ekzaminimi psikiatrik.

Avokati Elvir Imeri, mbrojtës i të pandehurit Skender Qerimaj ka konfirmuar për KALLXO.com se sot ka marrë aktvendimin e Gjykatës së Mitrovicës me të cilin është urdhëruar ekzaminimi psikiatrik.

“Sot me dt.14.01.22 kam pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe me këtë rast dua të konfirmoj se gjykata ka aprovuar propozimin tim dhe ka urdhëruar Institutin e Psikiatrisë Forenzike që të kryej ekzaminimin psikiatrik lidhur me të mbrojturin tim”, ka thënë avokati Imeri.

Ekzamini psikiatrik do të bëhet për të përcaktuar nëse i pandehuri në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore ose të aftësisë së zvogëluar mendore.

Kërkesën për ekzaminin psikiatrik avokati Imeri e kishte kërkuar më 6 janar në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, Skënder Qerimaj më 5 janar 2022, në shtëpinë e tyre në Llaushë të Skenderajt, pas mosmarrëveshjes së vazhdueshme e kishte qëlluar gruan e tij Lirije Qerimaj me 6 plumba, e cila nga plagët e marra kishte ndërruar jetë rrugës për në Spitalin e Mitrovicës.

Të gjitha lajmet lidhur me vrasjen e Lirije Qerimajt mund t’i lexoni KËTU.