Foto: Kallxo.com

Gjykata e merr rezultatin e testit të Shukri Bujës për COVID-19 para tij

Ish-kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja, dhe tetë të akuzuar të tjerë në rastin e njohur si “Feronikeli’, janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e prokurorisë gjatë një seancë gjyqësore në gjykatën e Prishtinës.

Ata mohuan fajësinë menjëherë pasi prokurori Agron Bajrami lexoi aktakuzën.

Seanca e sotme u mbajt pas dështimit të një seance javën e kaluar për shkak se Buja kishte qenë në pritje të rezultatit të testit për COVID-19.

Ky testim ka ngjallur sot një polemikë mes Arianit Kocit, avokat i Shukri Bujës, dhe kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Avokati Koci tha se klienti i tij është nën masën e ndalesës së daljes prej shtëpisë për shkak të pritjes së rezultatit të testit për Covid-19 përderisa gjykata e kishte urdhëruar atë që të paraqitet në seancë.

“A keni ndonjë informacion zyrtar për rezultatin e klientit tim, meqenëse i njëjti është në pritjes të rezultatit”, tha avokati Koci.

Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra njoftoi se Gjykata ka informacion zyrtare se rezultati i testit të Bujës është negativ.

Më pas Koci tha se kjo është shkelje e privatësisë pasi që ai dhe kolienti i tij nuk e kanë ditur rezultatin.

Në këtë rast, bashkë me Shukri Bujën akuzohen edhe Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Bajram Rizani, Edmond Rexhepi, Fahri Vishesella, Driton Avdiu, Magbule Sadiku dhe Burim Kodra.

Kurse është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Nehbi Zeqiri, sepse i njëjti është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të nëntor të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte dënuar me 6 muaj burgim.

I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë përfituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.