Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata e hedh poshtë edhe një herë aktakuzën ndaj Liburn Aliut

Gjykata e Prishtinës e ka hedhur përsëri poshtë aktakuzën ndaj Liburn Aliut, ministrit i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, avokati Florin Vërtopi.

Rreth dy muaj pasi që Gjykata e Prishtinës e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj ministrit Liburn Aliu dhe të tjerëve, pasi që me ankesën e Prokurorisë lënda kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, kjo Gjykatë rastin e kishte kthyer në rivendosje.

Gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin për hedhjen e aktakuzës dhe rastin e kishte kthyer në rivendosje edhe njëherë në Gjykatën e Prishtinës.

Ndërsa me vendimin e datës 23 gusht 2021, Gjykata e Prishtinës ka vendosur që përsëri ta hedh poshtë këtë aktakuzë.

Aktakuza ndaj ministrit Aliu dhe të tjerëve ishte ngritur në korrik të vitit 2020.

Librun Aliu aktualisht minister akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën kur e drejtonte Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Bashkë më të akuzohen edhe zyrtarët Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha.

Sipas prokurorisë Librun Aliu akuzohet se kishte nxjerrë dy vendime për të mos e zbatuar Planin Zhvillimor Urban, si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” kishte paraparë ndërtim individual për banim.

Ndërsa Olluri, Uka dhe Berisha – Prestreshi, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, nuk e kanë zbatuar vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e gjithashtu as vendimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas prokurorisë këto veprime ishin ndërmarrë më qëllim që t’u shkaktohet dëm të dëmtuarve, të cilëve u është refuzuar si e pa bazë kërkesa për lejimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit në kuadër të bllokut urban.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur pasi Drejtoria e Urbanizimit në kohën kur udhëhiqej nga Liburn Aliu nuk i ka respektuar rekomandimet e Ministrisë dhe kanë refuzuar kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore.

Për këto akuza, ministri Aliu dhe zyrtaret e tjera ishin deklaruar të pafajshëm

https://kallxo.com/lajm/gjykimi-ndaj-liburn-aliut-dhe-te-tjereve-te-akuzuarit-kembengulin-ne-pafajesi/