Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin lirues ndaj zyrtarëve të KEDS-it për korrupsion

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it për korrupsion.

Zyrtarët e KEDS-it, Gëzim Gashi dhe Bekim Thaqi, ishin liruar nga shkalla e parë për veprën penale të marrjes se ryshfetit, ndërsa avokati Murat Krasniqi ishte gjetur fajtor për veprën penale – frikësimi gjatë procedurës penale.

Shkalla e dytë e ka gjetur si të bazuar aktgjykimin e shkallës së parë për lirim të zyrtarëve të KEDS-it duke vërtetuar të njëjtin, ndërsa ka anuluar pjesën e aktgjykimit ndaj Murat Krasniqit duke kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar kur gjykata e shkallës së parë kishte liruar dy zyrtarët e KEDS-it.

“Urdhrin verbal nuk e ka konfirmuar e që është obligativ që në afat prej 3 ditëve t’i drejtohet gjyqtarit të procedurës paraprake me kërkesë për konfirmim të urdhrit verbal për zbatimin e kësaj mase”, kishte thënë gjykatësi Sharraxhiu, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Gjykata e Apelit ka gjetur se Gjykata e Pejës ka vërtetuar drejtë pasi që provat që janë nxjerrë nga konfirmimi verbal nga ana e prokurorisë, të urdhrit të masës së fotografimit të fshehtë ose vëzhgimit me video në vende publike dhe simulimit të veprës penale korruptive kundër Gëzim Gashit dhe Bekim Thacit, janë prova të papranueshme.

Sipas Gjykatës së Apelit konfirmimi i urdhrit verbal për këto masa është kompetencë e gjykatës e jo e prokurorisë.

“.. në rastin konkret prokuroria e shtetit ka dhënë urdhrin verbal për zbatimin e masave masës së fotografimit të fshehtë ose vëzhgimit me video në vende publike dhe simulimit të vepër penale korruptive, ndërsa urdhrin e saj verbal e ka konfirmuar me shkrim, përkundër që ligji nuk parasheh një kompetencë të tillë, por këtë e parasheh si kompetencë të gjyqtarit të procedurës parapake”, thuhet në vendim.

Gjykata e Apelit thotë se prova-deklarata e të dëmtuarit Feim Uka, nuk është e mjaftueshme për t’i shpallur fajtorë të akuzuarit.

“Ndërsa deklaratën e të dëmtuarit Feim Uka, përkundër që gjykata e shkallës s ë parë e mori parasysh, e njëjta nuk është e mjaftueshme për shpalljen fajtor se të akuzuarve, e duke mos pas prova të tjera ligjore të cilat veç e veç dhe në lidhshmëri me njëra tjetrën do të vërtetonin faktet konkrete për çka gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka nxjerrë aktgjykim lirues në raport me të akuzuarit Gëzim Gashi e Bekim Thaçi”, thuhet në arsyetim të vendimit lidhur me këtë pjesë.

Ndërsa Gjykata e Apelit ka gjetur se pretendimet e mbrojtjes së avokatit Murat Krasniqi janë të bazuara, pasi që dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë në brendinë e tij ndërsa në arsyetim të aktgjykimit të ankimuar nuk janë dhënë arsye të plota për faktet vendimtare.

Nga përshkrimi i faktit në dispozitivin e gjykatës së shkallës së parë rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor pasi i akuzuari ka ndërmarrë dy forma alternative të veprimit për kryerjen e veprës penale, atë të kanosjes dhe ofrimit të shumës prej 1000 euro, me qëllim që me nxitë të dëmtuarin Feim Uka të ndryshojë deklaratën e tij në polici dhe të dëshmojë rrejshëm në prokurori e gjykatë.

Sipas kolegjit të Gjykatës se Apelit nuk është e qartë se i akuzuari e përdori kanosjen në të dëmtuarin që ta nxis që të mos japë informacione të vërteta pranë organeve të ndjekjes, dhe nëse po, cila është ajo kanosje dhe cilat janë fjalët kanosëse që i ka përdorë.

Në këto rrethana gjykata ka gjetur se dispoztivi ka rezultuar i paqartë dhe kontradiktor në brendinë e tij.

“Sipas arsyetimit të gjykatës se shkallës së pare ajo konstaton se ka vërtetuar faktin se nga dëshmia e të gjithë dëshmitarëve, është vërtetuar se ditën kritike, kur i pandehuri Murat ka shkuar të villat Ukaj, biseda në mes të Muratit dhe Feimit ka qenë e tensionuar dhe me zë të lartë, por jo edhe veprimet inkriminuese që janë përshkruar në dispozitiv, atë të kanosjes apo ofrimit të shumës prej 1000 euro dhe mënyrën e pagesës së tyre”, thuhet tutje në arsyetim të Gjykatës së Apelit.

Sipas Gjykatës se Apelit, në arsyetimin e shkallës së parë mungon arsyetimi i qartë dhe i plotë për veprimet inkriminuese të Krasniqit, e po ashtu nuk është arsyetuar dashja si element qenësor subjektiv për kryerjen e kësaj vepre penale.

Apeli për pjesën dënuese ndaj Murat Krasniqit, ka gjetur se gjykata e shkallës së parë me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit nuk ka dhënë arsye ku është bazuar me rastin e shqiptimit të dënimit më të ulët se minimumi i paraparë ligjor.

“… edhe pse për të akuzuarin nuk gjeti asnjë rrethanë lehtësuese, ndërsa përkundër theksimit që si rrethanë rënduese mori parasyh faktin se i pandehuri Murat edhe me parë ka qenë i dënuar për vepra tjera penale, këtë fakt nuk e mbështeti mbi prova konkrete materiale që do të vërtetojnë këtë konstatim”, është thënë në vendimin e Apelit.

Avokati Murat Krasniqi ishte shpallur fajtor për veprën penale – frikësimi gjatë procedurës penale.

Të pandehurit Murat Krasniqi i është shqiptuar dënim me burg prej 1 viti dhe dënim me gjobë 200 euro.

Krasniqit iu shqiptua edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit prej 1 viti

Prokuroria akuzonte dy zyrtarët e KEDS-it, Bekim Thaçin dhe Gëzim Gashin, se kanë marrë 200 euro ryshfet nga i dëmtuari Feim Uka, pasi atij i kanë bërë presion me arsyen se është duke shpenzuar shumë energji elektrike.

Ndërsa, Murat Krasniqi akuzohej se duke qenë avokat i të pandehurit Thaçi, kishte tentuar të ndikonte te i dëmtuari Uka, që të ndryshonte deklaratën që kishte dhënë në polici lidhur me rastin.

Prokuroria pretendonte se të akuzuarit kishin shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Feim Uka, duke i bërë presion me arsyetimin se është duke zhvilluar biznes të paligjshëm për shkak të shumës së lartë të energjisë elektrike dhe për të mos lajmëruar në KEDS, kërkojnë nga ai shumën prej 200 eurove.

Aktakuza sqaron se i dëmtuari e ka lajmërouar policinë dhe pas takimit me të pandehurit, secilit ia ka dhënë shumën prej 100 eurove dhe pasi të pandehurit ia kanë futur të hollat nën karrigen e shoferit, janë arrestuar nga policia.

Ndërsa avokati Murat Krasniqi, ngarkohej me akuzën, se e kishte kanosur dhe i kishte ofruar shumën prej 1,000 eurove të dëmtuarit Uka, me qëllim që ta ndryshonte deklaratën e tij të dhënë në polici.