Meliza Haradinaj- Stublla, In Middle LTD

Gjykata e Apelit vendosi për rastin e ministres Meliza Haradinaj - Stublla

 Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës– Meliza Haradinaj Stublla, e cila akuzohet për raportim të rremë të pasurisë.

Haradinaj- Stublla ishte dënuar nga Gjykata e shkallës së parë me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajve.

Gjykata e Apelit ka gjetur  se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

“Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët.  Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim”, thuhet në komunikatën për media.

Pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore për  raportim të rremë të pasurisë, Meliza Haradinaj – Stubllën, e cila në atë kohë kishte pozitën e këshilltares politike të kryeministrit, Ramush Haradinaj

Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar Haradinaj – Stubllën me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti, Haradinaj – Stublla nuk do të kryente vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin detyrohej ra paguante brenda afatit prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stublla  kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Ëoolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte  themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklarojë pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës si dhe  ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.