Gjykata e Apelit urdhëron ri-arrestimin e grabitësve të rrezikshëm të Prishtinës

gati një muaj pasi ishin liruar nga Gjykata e shkallës së pare në Prishtinë, Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka caktuar masën 30 ditëshe të paraburgimit ndaj Leutrim Latifit, Kastriot Shalës e Egzon Sheqirit të akuzuar për grabitje, moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, armëmbajtje pa leje dhe zjarrvënie.

Apeli e caktoi masën e paraburgimit pasi e ndryshoi vendimin e gjykatësit Naser Foniqi të 18 shtatorit me të cilin tre të akuzuarit i kishte liruar nga paraburgimi dhe i kishte caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor për 2 muaj.

Kundër këtij vendimi për lirim të të dyshuarve për grabitje ishte ankuar prokurori Hivzi Bajraktari.

Pas shqyrtimit të ankesës dhe shkresave të lëndës, Apeli vlerësoi se duhet të caktohet masa e paraburgimit për shkak se të akuzuarit mund të ikin apo të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale, duke pasur parasysh faktin se veprat me të cilën ngarkohen të pandehurit janë të natyrës së rëndë dhe për këtë mund t’ju shqiptohet dënim mjaft i lartë nëse të njëjtit shpallen fajtorë.

Apeli, po ashtu ka gjetur se të akuzuarit mund të ndikojnë në zvarritjen e procedurës penale duke ndikuar te Arbnor Rukovci, i cili ka pranuar fajësinë për veprën penale në bashkëkryerje më Egzon Sheqirin, Katriot Shalen dhe Leutrim Latifi, mirëpo ndaj të njëjtit është veçuar procedura penale dhe i njëjti pritet që të dëshmojë kundër tyre.

Po ashtu ekziston  ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë te bashkëkryerësi Ridvan Ademi i cili ende gjendet në arrati dhe krejt kjo me qëllim të favorizimit të deklaratave të tyre në drejtim të mbrojtjes, ashtu që në këtë mënyrë të pandehurit do të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale.

Kujtojmë se për sigurimin e  vendimit të  Gjykatës së Prishtinës të datës 18 shtator 2020, KALLXO.com ka bërë kërkesë për qasje në dokumete publike mirëpo nga gjykatësi Foniqi kemi pranuar telefonatë  për të mos paraqitur më kërkesa të tilla.