Arkiv

Gjykata e Apelit i ulë dënimin Shukri Bujës

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore për ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja duke e dënuar vetëm për një vepër penale të keqpërdorimit të detyrëz zyrtare dhe duke i shqiptuar dënim plotësues.

“Gjykata e Apelit e Kosovë ka vendosur lidhur më ankesat në rastin e të akuzuarit Sh. B. etj. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 18.09.2020, është ndryshuar. I akuzuari Sh.B. është gjetur fajtor vetëm për një vepër penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Për këtë vepër, Apeli i ka shqiptuar dënim me 1 vit burgim dhe dënim plotësues në ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Dënimi plotësues do të fillon të ekzekutohet pas përfundimit të mbajtjes së dënimit me burgim.

Për dallim nga kjo pikë dënuese e aktgjykimit, Apelit ka konstatuar se disa pika të tjera janë parashkruar.

“Për veprat penale nga pikat I, I.1, I.2, I.3, I.4 dhe III të pjesës dënuese ndaj të akuzuarve Sh.B. , H.G. dhe B.R. lidhur me veprën penale nga pika I e pjesës liruese ndaj të akuzuarës M.S., aktakuza është refuzuar, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit të ndjekjes penale”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Ndërsa pjesa që ka të bëjë më pikën II të pjesës dënuese (Pika II.4 e aktakuzës), ndaj të akuzuarve H.V. dhe E.R., aktgjykimi është prishur dhe lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje. Në çështjet tjera aktgjykimi ka ngelur i pa ndryshuar.

Më 18 shtator të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte gjetur fajtor Shukri Bujën dhe e kishte dënuar me 2 vjet burgim dhe e kishte obliguar t’i kompensojë palës së dëmtuar 78 mijë euro.