Seanca në rastin Pronto - 06.09.2019

Gjykata dorëzohet sërish para Adem Grabovcit, vendos të mos dëgjohen inçizimet e ‘Pronto’-s

Gjykata e përbërë prej trupit gjykues me kryetar Shashivar Hoti dhe anëtarët Beqir Kalludra dhe Shadije Gërguri ka vendosur të mos dëgjohen inçizimet e “Pronto”-s në Gjykatë me arsyetimin se kjo bëhet me qëllim të racionalizimit të procedurës.

Prokurorja e rastit, Drita Hajdari, kishte kërkuar që provat tjera të konsiderohen të lexuara, ndërsa CD-të të dëgjohen. Ndër tjerash ajo kishte thënë se ka edhe biseda të cilat nuk janë dëgjuar më parë nga publiku.

Me këtë nuk ishin pajtuar avokatët të cilët kishin konsideruar që të gjitha provat duhet të konsiderohen të lexuara me përjashtim të mbrojtëses së të akuzuarit Rexhë Abazi, avokates Albana Kelmendi, e cila kishte thënë se ajo dhe klienti i saj propozojnë që të dëgjohet pjesa ku është klienti i saj.

Ndryshe, inçizimet e “Pronto”-s ishin publikuar edhe nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta të interesit, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës ndaj 11 personave, kryesisht njërës me funksione të larta në Partinë Demokratike të Kosovës.

Në Gjykatën e Prishtinës po mbahet seanca për rastin “Pronto” ku të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Aktakuzën për këtë rast Prokuroria Speciale e kishte ngritur në prill të vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.

Të fortit e PDK-së në gjyq për ‘Pronto’-n – FOTO

.