Arkiv

Gjykata aprovon marrëveshjen për pranimin e fajësisë të disa të akuzuarve në rastin ‘Subvencionet 1’

Gjykatësi Kujtim Krasniqi e ka konfirmuar për KALLXO.com se gjykata ka aprovuar marrëveshjen e lidhur mes Prokurorisë dhe shtatë të akuzuarve në rastin ‘Subvencionet 1’ për pranimin e fajësisë.

Marrëveshje për pranimin e fajësisë kanë arritur shtatë të akuzuarit Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi.

Ndaj Albanit Bushatit për veprën penale ‘marrje ryshfeti’ dhe ‘falsifikim të dokumenteve’, prokuroria ka rekomanduar burgim efektiv në kohë prej 2 vite deri në 2 vite e 4 muaj si dhe 500 euro gjobë, ndërsa për falsifikim të dokumente 1 deri në 3 muaj burgim, ashtu që të njëjtit t`i shqiptohet dënim unik nga 2 vite deri në 2 vite e 6 muaj dhe 500 euro gjobë.

Ndaj Kastriot Berishës, Bekim Shalës, Flamur Zeqirit për veprën penale ‘mashtrim me subvencione’, prokuroria i ka rekomanduar gjykatës që t’iu shqiptohet secilit dënim me burgim, nga 1 vit deri në 1 vit e dy muaj burgim.

Ndaj Dukagjin Mavrajt për veprën penale ‘mashtrim me subvencione’, prokuroria ka rekomanduar që t`i shqiptohet dënim me burgim nga 4 muaj deri në 6 muaj.

Ndaj Habibe Dautit për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, prokuroria ka propozuar që t’i shqiptohet 1 vit burgim efektiv si dhe dënimi plotësues për ndalim të ushtrimit të funksioneve në organet publike në kohën prej 1 deri në 2 vite.

Ndërsa ndaj Daut Kabashit për veprën penale ‘dhënia e ryshfetit’, prokuroria ka rekomanduar dënimin me burgim prej 6 muaj.

Aktakuza në këtë rast është ngritur më 22 shkurt të këtij viti 2022 ndaj 21 personave që ngarkohen për keqpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti dhe ndihmë në marrje ryshfeti, mashtrim në detyrë, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe falsifikim të dokumenteve.

Aktakuza është ngritur kundër 11 të pandehurve si persona zyrtarë dhe dhjetë të tjerë si përfitues të subvencioneve.

Në aktakuzë, Prokuroria Speciale ka propozuar që të konfiskohet dobia pasurore nga të pandehurit e fituar me kryerjen e veprave penale, e cila kap vlerën e të hollave rreth pesëqind mijë (500,000.00) euro, si dhe të disa veturave.

Sipas aktakuzës të pandehurit me rastin e kryerjes së veprave penale kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë 646 mijë e 250 euro, ndërsa vlera e ryshfetit (korrupsionit) që kanë përfituar personat zyrtar thuhet se është 316 mijë e 650 euro.

Të akuzuar me këtë aktakuzë janë, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj,  Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me rastin pas zhvillimit të aksionit të arrestimeve duke shpalosur detaje nga dosja e Prokurorisë.

Shpallja e aktgjykimit për të akuzuarit që kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë do të bëhet me datë 19.04.2022 në ora 13:15

KALLXO.com ka raportuar lidhur me detajet nga aktakuza për rastin “Subvencionet” dhe pretendimet e detajuara të Prokurorisë ndaj të akuzuarve.