Gjykata: Aktakuza ndaj Liburn Aliut e pa bazuar në prova

Gjykata e Prishtinës e ka hedhur poshtë akuzën ndaj Liburn Aliut, ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare për mos zbatimin e një plani zhvillimor për ndërtim në Komunën e Prishtinës, në kohën sa ishte drejtor i Urbanizmit.

Bashkë me Aliun, në këtë rast akuzoheshin edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Mimoza Berisha-Prestreshi, Zejnulla Rexhepi dhe Bahtie Uka.

Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të palëve, kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi ka gjetur se kërkesat e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës janë të bazuara, kjo për faktin se në shkresat e lëndës sipas gjyqtarit Ajvazi nuk ka prova konkrete dhe të mjaftueshme që e mbështesin ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë, se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Sipas vendimit të Gjykatës të siguruar nga KALLXO.com, nga provat të cilat i janë bashkangjitur aktakuzës e të cilat janë propozuar që të administrohen edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe për më tepër të kenë pasur qëllim që me veprimet e tyre, përkatësisht me vendimet e nxjerra kundrejt kërkesës së paraqitur për lëshimin e kushteve të ndërtimit nga personat e përshkruar si të dëmtuar në aktakuzë, t’i shkaktojnë dëm të tjerëve.

Sipas Gjykatës, të akuzuarit kanë vepruar në kuadër të autorizimeve të tyre, autorizime këto të përcaktuara me ligj dhe që lidhen dhe burojnë nga pozitat zyrtare që kanë ushtruar.

Në vendimin për hedhje të aktakuzës, Gjykata thekson se të akuzuarit në përgjigje lidhur me kërkesën e paraqitur, kishin vendosur për ta refuzuar të njëjtën duke vlerësuar se kërkesa kishte qenë në kundërshtim me Planin Rregullues Urban. Gjykata ka vlerësuar se me anë të këtij vendimi, të akuzuarit i kishin dhënë mundësi palës që vendimin ta atakonte në procedurë administrative, organit të shkallës së dytë, në këtë rast Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ndonëse Gjykata me rastin e marrjes së këtij vendimi ka vlerësuar edhe pretendimet e organit të akuzës lidhur me pretendimet se ka dyshim të bazuar mirë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin, Gjykata ka ardhur në përfundim se pretendimet e Prokurorisë janë të pa bazuara, pasi që sipas Gjykatës, Prokuroria aktakuzës nuk i ka bashkangjitur asnjë provë konkrete nga të cilat do të rezultonte dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.

“Është thellësisht i gabuar pretendimi i prokurores së shtetit, se meqë nuk është vendosur siç ka kërkuar pala, atëherë i është shkaktuar dëm të njëjtës, mirëpo edhe sikur të i jetë shkaktuar dëm eventual, organi administrativ nuk duhet të vendos bazuar në faktin nëse i shkaktohet dëm palës, mirëpo nëse është e mbështetur në ligj kërkesa e paraqitur nga pala, pavarësisht dëmeve apo dobive që shkakton apo siguron për palët vendimi i caktuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Një interpretim i tillë i dispozitave ligjore, ku sipas Gjykatës qëllimi për të shkaktuar dëm lidhet me mënyrën e vendosjes së organit administrativ, është i gabuar dhe i rrezikshëm pasi që e zgjeron përgjegjësinë penale duke i përfshirë brenda saj edhe veprimet apo shkeljet që lidhen me mënyrën e vendosjes, që mund të evitohet në procedurë administrative, përmes mjeteve juridike, ankesës apo padisë. Mirëpo sipas Gjykatës në rastin konkret, organi i shkallës së dytë, nuk ka vendosur në mënyrë meritore duke vendosur miratimin e kërkesës dhe dhënien e kushteve, mirëpo çështjen e ka kthyer në rivendosje dhe të akuzuarit kështu kanë vendosur që përsëri duhet të vendoset në mënyrë të njëjtë.

“Lidhur me pretendimet e organit të akuzës se të akuzuarit do duhej ta zbatonin planin zhvillimor urban, si plan i nivelit më të lartë, Gjykata thekson se nuk i takon organit të akuzës të bëjë këtë përcaktim dhe është e paqartë në çka është bazuar kur ka bërë një përcaktim të tillë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Si përfundim Gjykata ka gjetur se aktakuza jo vetëm që nuk përbën shpjegimin e arsyeve për ngritjen e aktakuzës bazuar në rezultatet e hetimit dhe provat që do t’i vërtetonin faktet kryesore, por që aktakuza është mjaftuar vetëm në përshkrimin e deklaratave të dëshmitarëve të propozuar, që cilësohen si të dëmtuar, por pa shpjeguar arsyet e ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë.

Në këtë vendim Gjykata i ka vlerësuar edhe pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve lidhur me afatin e hetimeve, mirëpo këto pretendime i ka gjetur krejtësisht si të pa bazuara.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Aktakuza ka të bëjë për mos zbatimin e një plani zhvillimor për ndërtim në Komunën e Prishtinës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në korrik 2020 ka ngritur aktakuzë kundër Liburn Aliut, Ardian Ollurit, Zejnulla Rexhepit, Nazife Krasniqit, Bahtie Ukës dhe Mimoza Berishës – Prestreshit, të cilët akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar.

Kurse, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha – Prestreshi, Prokuroria i akuzon edhe për veprën ‘Mosekzekutim të vendimeve Gjyqësore’.

Sipas aktakuzës, të lartë-cekurit Olluri, Uka dhe Berisha – Prestreshi, në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, nuk e kanë zbatuar vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e gjithashtu as vendimin e Gjykatës së Apelit.

Aktakuza thotë se të pandehurit, Liburn Aliu, Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi, kanë nxjerrë dy vendime duke mos e zbatuar Planin Zhvillimor Urban, si plan hapësinor i nivelit më të lartë në lagjen “Prishtinën e Re”, zona perëndim që ka paraparë ndërtim individual për banim.

Prokuroria pretendon, se me qëllim që t’u shkaktohet dëm të dëmtuarve, të pandehurit e kanë refuzuar si të pabazë kërkesën e tyre për lejimin e kushteve ndërtimore të të dëmtuarve, për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit në kuadër të bllokut urban ”1-1” dhe “1-2” të tërësisë hapësinore “I” të Planit Rregullues “Prishtina e Re” Zona Perëndim.

Lidhur me pretendimet e Prokurorisë, Aliu dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve, të akuzuarit këmbëngulin në pafajësi