FOTO: KALLXO.com

Gjykaka e lë prapa grilave të dyshuarin për ngacmim të eprorit të FSK-së shkaku i fotografisë me Ramush Haradinajn

Një fotografi e një ushtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) së bashku me fotografi të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj ka bërë që ushtari i nacionalitetit serb të pranojë mesazhe fyese e kërcënuese.

Prokuroria e Gjilanit po kërkon paraburgim për të dyshuarin Dejan Petroviq pasi dyshohet se e ka shqetësuar të dëmtuarin Zoran Stojiq, i cili është toger në FSK.

Në një vendim të pasdites së të premtes, gjykatësi i procedurës paraprake ka vendosur që Petroviq të qëndrojë për 30 ditë në paraburgim.

Kërcënimi ndaj ushtarëve serbë të FSK-së është i përhapur gjithkund në vendbanimet me serbë si pjesë e një plani të qeverisë sv Serbisë për t’i parandaluar serbët e Kosovës t’i bashkohen kësaj force.

Sipas dosjes se prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari Dejan Petroviq kishte publikuar fotografi të ish- Komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj në uniformë ushtarake dhe të të dëmtuarit Zoran Stojiq me uniformë dhe flamuj të FSK-së.

Në kërkesen e prokurorisë thuhet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Shillovë të Komunës së Gjilanit.

“Prej datës 04 maj 2020 e në vazhdim, në fshatin Shillovë Komuna e Gjilanit, me qëllim të sjelljeve të vëmendjes së vazhdueshme dhe të pa dëshirueshme të ngacmimit, i pandehuri Dejan Petroviq me dashje dhe me qëllim të frikësimit dhe dëmtimit të nderit dhe autoritetit të tjetrit ka shqetësuar tani të dëmtuarin Zoran Stajiq, me pozitë toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës në kazermën ushtarake ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, ashtu që përmes rrjetit social Facebook, publikon fotografi të ish-Komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj në uniformë ushtarake si dhe të të dëmtuarit Stojiq në uniformë dhe me flamuj të FSK-ës, ku pas këtij publikimi i njëjti ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes se tij”, thuhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë së Gjilanit.