Gjuajti me armë në aheng familjar, dënohet me 700 euro gjobë

Fatmir Hajdari, i akuzuar së në fejesën e 2 djemve të tij në fshatin Krushë të Vogël, ka gjuajtur me armë zjarri është gjetur fajtor dhe është dënuar me 700 euro gjobë nga Gjykata e Prizrenit.

I pandehuri Hajdari nga prokuroria u ngarkua për veprat penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armë pa leje.

Hajdari, pas leximit të aktakuzës nga ana e përfaqësuesit të prokurorisë Metush Biraj, e pranoi fajësinë dhe deklaroi se në momentin kritik nuk e ka ditur se një veprim i tillë, gjuajta me armë është vepër penale.

“Kam qenë tejet i disponuar lidhur me fejesën e 2 djemve të mi, dhe nuk e kam ditur se një veprim i tillë është vepër penale. Armën të cilën e kam pasur në shtëpi ka qenë si trofe nga Lufta e UCK-së”, tha i akuzuari.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari u mbështet nga prokurori i rastit Metuash Biraj, ndërsa u aprovua nga gjykatësja e krimeve të rënda Teuta Krusha.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari u dënua me 3 muaj burgim për veprën shkaktim i rrezikut të përgjithshëm kurse për armë pa leje u dënua me 300 euro gjobë.

Mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi me burgim i është zëvendësuar me 400 euro gjobë, në këtë mënyrë gjykata të akuzuarit i shqiptoi dënimin unik me 700 euro gjobë.

Me anë të këtij aktgjykimi, të akuzuarit gjithashtu i është konfiskuar edhe arma.

I njëjti u obligua që të paguaj paushallin gjyqësor në shumën prej 30 euro si dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në qershor të vitit 2021, në shtëpinë e tij në fshatin Krushë e Vogël të Komunës së Prizrenit, ku gjatë ahengut familjar me rastin e fejesës së 2 djemve të tij, në prezencë të mysafirëve i pandehuri Fatmir Hajdari merr pushkën e tij bajonetë, prodhim kinez dhe shkrep disa herë në drejtim të qiellit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri deri me datën 27 maj 2021, në shtëpinë e tij e ka fshehur pushkën automatike, prodhim kinez, së bashku me 2 karikator të zbrazur për të cilën armë nuk kishte poseduar leje nga organi kompetent.

Me veprimet e lartcekura, i pandehuri u akuzua se ka kryer veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtja pa leje.