Foto: Kallxo.com

Gjilanasi pranon në gjykatë se i kërkoi një gruaje 1,650 euro duke e kërcënuar

Bashkim Ismajli, i akuzuar se ka bartur armë pa leje dhe se ka ngacmuar një person, është sjellë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bashkim Ismajli në maj të këtij viti me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit kishte komunikuar me të dëmtuarën L.N. duke e kërcënuar përmes rrjeteve sociale dhe duke i kërkuar të takohen.

Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari nga e dëmtuara ka kërkuar edhe shumën e të hollave prej 1,600 euro.

Aktakuza thotë se Bashkim Ismajli ka bartur me vete një revole të tipit Ekol të cilën e kishte pa leje.

Në seancën e sotme, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Arben Ismajli i akuzuari tha se e pranon fajësinë sipas aktakuzës që iu lexua.

“E pranoj fajësinë ashtu si e lexoi Prokurori. Për dy veprat penale të cilat i lexoi Prokurori e ndiej veten fajtor”, tha shkurt i akuzuari Bashkim Ismajli, të cilin nuk e kundërshtoi mbrojtësja e tij, avokatja Sadbere Maliqi.

Prokurori nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari, duke i propozuar Gjykatës qe të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.