Gjilanasi e pranon fajin për gjuajtje me armë në ajër

Isuf Isufi, i akuzuar për gjuajte dhe armëmbajtje pa leje e ka pranuar fajësinë para gjykatësit Zyhdi Haziri në Gjykatën e Gjilanit.

I njëjti me veprimet e tij sipas Prokurorisë në muajin gusht te këtij viti, në Fshatin Uglar Komuna e Gjilanit, pas një mosmarrëveshje që kishte me të dëmtuarin Edin Ajredini, kishte shkuar në Fshatin Uglar dhe nga një veturë ku ishte pasagjer me qëllim të frikësimit e nxjerr revolen dhe shtien dy herë në ajër.

Gjithashtu në periudhën e njëjtë kohore i akuzuari në kundërshtim me ligjin ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën e zjarrit.

“I kërkoj falje të dëmtuarit për rastin e ndodhur edhe pse nuk kemi mundur të arrijmë një marrëveshje me familjen e të dëmtuarit për t`u pajtuar”, deklaroi i akuzuari Isufi.

Prokurori i shtetit Arben Kadriu në fjalën përfundimtare deklaroi se i propozon Gjykatës që të akuzuarin Isuf Isufi ta shpall fajtor për veprat penale të cilat i vihen në barrë dhe ta dënojë sipas ligjit.

“Si rrethanë rënduese kërkoj nga Gjykata të merr parasysh shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale, mënyrën e kryerjes së këtyre veprave. Kurse si rrethana lehtësuese të merr pranimin e fajësisë së të akuzuarit. Propozoj që arma e përshkruar në aktakuzë të konfiskohet”, tha prokurori i shtetit Arben Kadriu.

Edhe i dëmtuari Edin Ajredini deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se kërkon kompensimin e dëmit nga i akuzuari.

Ndërsa avokati i të akuzuarit Isuf Isufi, Ilir Shaqiri deklaroi se duke marr parasysh pranimin e fajësisë por edhe nga provat që gjenden në shkresat e lëndës vërtetohet fajësia e klientit të tij. Ai tha se klienti i tij pranimin e fajësisë ë kishte bërë edhe në deklarimin e tij në Polici, Prokurori dhe sot edhe në Gjykatë.

“Është e vërtet se i njëjti ka shtënë me armë në ajër për shkak se ka qenë i provokuar nga i dëmtuari, pasi i njëjti ia ka zënë rrugën. Me rastin e shqiptimit të dënimit kërkoj nga Gjykata të merr parasysh rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë, bashkëpunimin me Policin, se ndaj të njëjtit nuk zhvillohet procedurë penale. Andaj kërkoj që t`i shqiptohet një dënim sa me i butë”, tha mbrojtësi i të akuzuarit Isuf Isufi, Ilir Shaqiri.