Gjilanasi dënohet për falsifikimin e rezultateve në zgjedhjet e 6 tetorit

 

Florent Murseli, i akuzuar për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve, ka dalur sot para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Florent Murseli ka falsifikuar rezultatin e votimit në zgjedhjet e datës 06 tetor 2019.

Aktakuza thotë se Murseli, me datën 06.10.2019, në Gjilan në shkollën “Abaz Ajeti”, dhoma nr.6 shton shenjen “tik”, tek numri 35 i kandidatit potencial të atij subjekti.

Sipas dosjes së Prokurorisë Murseli ka regjistruar në mënyrë të pa saktë rezultatin e zgjedhjeve, e gjithë kjo me qëllim të falsifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Me këto veprime sipas aktakuzës, i akuzuari Florent Murseli e ka rritur numrin e votave për kandidatin e caktuar ose listën e caktuar.

Në fillim të seancës gjykatësi Agim Ademi, tha se në shkresat e lëndës ka arritur marrëveshja për pranim të fajësisë nga i akuzuari në njërën anë dhe Prokurorisë në anën tjetër.

“Më datën 24 shkurt na ka arritur marrëveshja për pranim të fajësisë dhe e njëjta do të shqyrtohet”, tha shkurt gjykatësi Ademi.

Prokurori Agron Uka, tha se nga ana e mbrojtësit të akuzuarit ju ka arritur një kërkesë për të hyrë në marrëveshje.

“Pas marrjes së pëlqimit nga ana e kryeprokurorit dhe pas negocimit me të akuzuarin dhe me mbrojtësin e tij, jemi dakorduar që një dënim me kusht prej një viti me verifikim prej dy viteve, jemi dakorduar që një dënim i tillë është i arsyeshëm duke pasur parasysh moshën e të akuzuarit dhe premtimin e tij se nuk do të kryej vepër tjetër penale, këto janë shkaqe që na kanë sjellur në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjes. Kërkoj nga Gjykata që marrëveshja të aprovohet”, tha Prokurori Uka.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Tefik Dushica, tha se me klientin e tij e kanë bërë një kërkesë në Prokurori për pranim të fajësisë.

“Marrëveshja është negociuar në mes meje si mbrojtës, klientit tim dhe Prokurorisë. Florenti e ka pranuar veprën penale për të cilën akuzohet, ai është penduar thellë dhe ka premtuar se në të ardhmen nuk do të përsëris vepra penale. I propozoj Gjykatës që marrëveshjen e sjellur ta aprovoj“, tha avokati Dushica.

Kurse i akuzuari Florent Murseli tha se e mbështet fjalën e avokatit të tij dhe kërkoi nga Gjykata që ta aprovojë marrëveshjen të cilën e kanë arritur me Prokurorinë.

Në fund të seancës, gjykatësi Agim Ademi e aprovoi marrëveshjen për pranim të fajësisë dhe i shqiptoi edhe dënimin sipas marrëveshjes e cila gjendej në shkresat e lëndës.

“Aprovohet marrëveshja për pranim të fajësisë e lidhur nga palët në Procedurë. Për Gjykatën janë të pranuara kushtet e marrëveshjes si dhe lloji i dënimit, pasi marrëveshja e tillë është në përputhje me kodin e procedurës penale”, tha gjykatësi Agim Ademi, pasi e aprovoi marrëveshjen dhe e shpalli fajtor të akuzuarin.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje:

I akuzuari në Kroaci, zvarritet gjykimi për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve

.