Shpallja e vendimit ndaj Refik Latifajt ne gjykaten e Gjilanit

Gjilan, sërish dënohet ish-kryeinspektori i Kamenicës

Refik Latifaj, ish-kryeinspektor në Kamenicë, është shpallur fajtor për të dytën herë nga Gjykata e Gjilanit për keqpërdorim të detyrës.

Latifaj akuzohej se ka ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës.

Kështu, Latifaj u dënua me dënim burgu prej 180 ditësh, por me propozimin e tij dënimi iu zëvendësua me gjobë prej 2.000 euro.

Në seancën e datës 6 nëntor, Prokurori Isuf Sadiku duke dhënë fjalën përfundimtare pati kërkuar dënimin e të akuzuarit, pasi thoshte se nga të gjitha seancat e mbajtura është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale me të cilen Prokuroria atë e ngarkon.

Kurse i akuzuari Refik Latifaj dhe mbrojtësi i tijë kërkonin lirimin nga akuza me pretendimin se Latifaj nuk e ka kryer veprën penale me të cilen ngarkohet nga Prokuroria e Gjilanit.

Kjo lëndë për herë të tretë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit për shkak se, sipas Apelit, nuk janë dhënë arsyetime për faktet vendimtare në të cilat është bazuar Gjykata e shkallës së parë.

Gjykata e Gjilanit në shqyrtimin e parë të akuzuarin e kishte dënuar me 180 ditë burgim, vendim i cili ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Pastaj i akuzuari kishte bërë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit (Gjykata Supreme), e kishte prishur vendimin e Apelit duke e kthyer çështjen në rigjykim. Tutje në rigjykim Gjykata e Gjilanit (e shkalles së parë), e kishte liruar nga akuza të akuzuarin, vendim të cilin e ka prishur Gjykata e Apelit duke e kthyer çështjen përsëri në rigjykim (procedura në të cilën ndodhej deri sot çështja).

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Refik Latifaj akuzohej se në periudhën kohore 2013-2014 në cilësinë e shefit të Inspektoratit Komunal të Kamenicës në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.

Aktakuza sqaronte se këtë ndihmë Latifaj e kishte bërë duke u dhënë instruksione për eksploatim ilegal të rërës dhe zhavorrit dhe duke i udhëzuar kompanitë që të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë e veprimtarisë së tyre.