Foto: Kallxo.com

Gjilan, rigjykimi ndaj ish-inspektorëve dhe ish-drejtorit të urbanizmit drejt fundit

Inspektorët Merita Cana-Shabani, Shkëndije Mahmuti-Hajdini, Baki Azemi dhe ish-drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, dolën edhe sot para Gjykatës në Gjilan rreth disa ndërtimeve pa leje në këtë komunë.

Sipas Prokurorisë, katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014, në Gjilan nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.

Ky gjykim ishte urdhëruar nga Gjykata e Apelit pasi që Gjykata e Gjilanit i kishte liruar nga akuza të akuzuarit.

Në seancën e sotme u tha fjala përfundimtare.

Prokurori Arben Kadriu tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim.

“Prokuroria qëndron pranë aktakuzës dhe konsideron që pas gjitha provave dhe shqyrtimeve do të vërtetohet se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale që ua vënë në barrë aktakuza”, tha shkurt Prokurori Kadriu.

Përfaqësuesi i Komunës së Gjilanit Arben Mehmeti deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se do të kërkojnë kompensimin e dëmit.

Mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se fjalën përfundimtare e kanë përgatitur me shkrim dhe kërkuan që të akuzuarit të lirohen në mungesë të provave pasi që, sipas tyre, në asnjë rrethanë klientët e tyre nuk janë fajtorë.

Të akuzuarit than se e përkrahin fjalën përfundimtare të avokatëve të tyre.

Aktgjykimi për këtë çështje do të shpallet më 4 dhjetor.