Foto: KALLXO.com

Gjilan, përfundon gjykimi për shpërndarje të drogës

Shaban Isufi është sjellë nga paraburgimi në Gjykatë për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë së Gjilanit.

Isufi po akuzohet se ka shpërndarë narkotikë dhe se ka bartur armë pa leje.

Në seancën e sotme, që ishte e fundit në këtë çështje, u dha fjala përfundimtare ku prokurori Isuf Sadiku kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Mbes pranë aktakuzës si në shkresat e lëndës. Gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari i ka kryer veprat penale të cilat ia vë në barrë akti akuzues. Me dëgjimin e dëshmitarëve dhe provave materiale të cilat gjinden në shkresat e lëndës, pa dyshim është vërtetuar që i akuzuari i ka kryer veprat penale me të cilat edhe ngarkohet. I propozoj Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë me një dënim meritor sipas ligjit”, tha prokurori Sadiku.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arben Toska, tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe se do ta elaborojë shkurtimisht.

“As për së afërmi nuk është vërtetuar që klienti im e ka kryer veprën penale të shitjes së narkotikëve. Asnjë blerës, asnjë dëshmitar nuk kemi pasur që ka thënë se Shabani më ka shitur narkotikë. Pas bastisjes së banesës se tij nuk është gjetur asnjë dëshmi tek i njëjti se e ka kryer veprën e posedimit dhe shitjes së narkotikëve. Për armëmbajtje pa leje e ka pranuar fajësinë andaj nuk dua të diskutoj për atë çështje”, tha avokati Toska.

Kurse i akuzuari Shaban Isufi tha se nuk e ka kryer veprën penale të shitjes së narkotikëve dhe kërkoi nga Gjykata lirimin e tij nga kjo aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Shaban Isufi më 28 tetor 2019, në Gjilan pa autorizim ka poseduar lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Aktakuza pretendon se ai këtë lëndë narkotike e kishte me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.

Tutje, sipas aktit akuzues i akuzuari Isufi të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend ka poseduar edhe armë të cilat i akuzuari i posedonte pa leje dhe në kundërshtim me ligjin për armët.

Shpallja e vendimin në këtë çështje do të bëhet më 26 shkurt.