Gjykata e Gjilanit

Gjilan, kërkohet paraburgim ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe kontrabandë me mallra

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve M. A. dhe N. K., të cilët me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Ata po dyshohen se i kanë kryer veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe kontrabandimit me mallra.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 05 Tetor 2021, i pandehuri M. A., në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli, tek autoriteti pyjor në komunën e Kamenicës, me dashje ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka damkosur rreth 12 kubik drunjë, të llojit pishë, edhe përkundër faktit që kjo sasi e drunjëve ishte kontrabanduar nga Republika e Serbisë, me ç’rast ka legalizuar këtë sasi të drunjëve duke i mundësuar të pandehurit tjetër N. K., që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

“Me këto veprime, i pandehuri M. A., dyshohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa, i pandehuri N. K., dyshohet për veprën penale kontrabandimi me mallra’’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.