Gjykimi ndaj Faton Osmanit, i akuzuar për vrasje në tentativë

Gjilan - I akuzuari për vrasje në tentativë të dajës së tij rrëfehet në Gjykatë

I akuzuar për vrasje në tentativë, Faton Osmani ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

Osmani nga Prokuroria e Gjilanit po akuzohet për vrajse në tentativë të ndodhur sipas Prokurorisë më 03 maj 2020, ku i dëmtuar është tani i ndjeri Bakush Veseli, i cili më 13 shtator 2021, ishte qëlluar për vdekje më 9 fishekë.

I akuzuari Faton Osmani, tani gjindet në masën e paraburgimit pasi i njëjti së bashku edhe me dy persona të tjerë janë të dyshuar për vrajsen e Bakush Veselit.

Tutje në seancen e sotme, u dëgjua dëshmitari Mursel Veseli, dëshminë e të cilit trupi Gjykates i udhëhequr nga gjykatësi Naser Maliqi, e ndaloj për t`u publikuar duke e mbyllur seancën gjyqësore.

Seanca u mbyll me kërkesen e mbrojtëses së të akuzuarit Faton Osmani, avokates Erlinda Toska, pasi dëshmitari Mursel Veseli, të ndjerin Bakush Veseli e kishte xhaxha.

Pasi seanca u hap dhe u lejua publiku, i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë pasi nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Me të dëmtuarin, të cilin e kam pasur dajë i kam pasur raportet normale. Kurse dy javë para se me ndodh rasti nuk kam qenë në shtëpi dhe më ka thirrur gruaja më ka thënë se ka ardhur Bakushi dhe po i then drynat e shtëpisë së dajës tjetër Muhadinit. Pastaj unë e kam lajmëruar rastin në polici. Pasi kanë ardhur kompania për shtrimin e ujësjellsit ka ardhur Bakushi me veturë dhe e ka bllokuar rrugën”, tha i akuzuari Osmani.

Tutje ai tha se tani i ndjeri ka shkuar në drejtim të bagerit dhe duke sharë, e ka marrë një guri në dorë dhe i është afruar. Në vazhdim tha se e ka goditur me grusht tani të ndjerin dhe ai e ka nxjerrur revolen, kurse ja ka kapur atë dhe revolja ka kërcitur dy apo tri herë.

Me propozim të prokurorit, seanca e sotme do të vazhdohet më 27 tetor 2021.

Sipas Prokurorisë, më 03 maj 2020, në Gjilan, në lagjen Arbëria, rruga “Edit Durhan”, pas një mosmarrëveshje, me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta tani të dëmtuarin Bakush Veseli. Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Osmani me armë zjarri kishte shtënë dy herë në drejtim të viktimës dhe njëra nga predhat e godet të dëmtuarin, duke i shkaktuar lëndime  trupore.

Tutje sipas aktit akuzuës, Faton Osmani akuzohet se pa autorizim dhe pa leje valide, e në kundërshtim të Ligjit të zbatueshëm për armët, ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim, armën e zjarrit  të llojit të panjohur.