Gjykimi për vrasje në tentativë - 12.11.2019

Gjilan - I akuzuari për vrasje në tentativë nuk i përgjigjet Gjykatës

Seanca ndaj të akuzuarve për vrasje në tentativë ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Gjilanit.

Të akuzuar në këtë rast janë Ilaz Cakolli, Egzon Azemi, Endrit Azemi, Erdonit Azemi, Elod Sahiti, Flamur Krasniqi dhe Blerim Kurteshi.

Shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e të akuzuarit Blerim Kurteshi, i cili nuk ju kishte përgjigjur ftesës së Gjykatës.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri njoftoi të pranishmit në gjykatore se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së sotme për shkak të mungesës se të akuzuarit Blerim Kurteshi.

“I akuzuari Blerim Kurteshi edhe pse ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt nuk ju ka përgjigjur gjykatës për seancën e sotme”, tha kryetari Haziri.

Gjithashtu edhe prokurori i Shtetit Isuf Sadiku tha se nuk ka mundësi të vazhdohet me seancën e sotme.

“Pasi që i akuzuari Blerim Kurteshi, dyshohet se veprën për të cilën e ngarkon aktakuza e ka kryer në bashkëveprim, kërkojmë nga Gjykata që seanca e sotme mos të vazhdoj pa prezencën e tij”, tha prokurori Sadiku.

Të akuzuarit dhe të dëmtuarit nuk e kundërshtuan shtyrjen e seancës.

Seanca e sotme u shtye për muajin dhjetor, ndërsa kryetari trupit gjykues tha se për seancën e radhës ndaj të akuzuarit Blerim Kurteshi do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit Ilaz Ca kolli dhe Egzon Azemi, ne muajin nëntor 2018, në stacionin e autobusëve në Gjilan pas një mosmarrëveshje e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin Mërgim Bllaca. Sipas aktakuzës, i akuzuari Ilaz Cakolli e godet dy herë me thikë në bel dhe shpinë, kurse i akuzuari Egzon Azemi e godet gjithashtu me mjet te prehtë-kaçavidë dy herë në pjesën e përparme të gjoksit.

Tutje sipas aktakuzës të akuzuarit Endrit Azemi, Erdonit Azemi, Elod Sahiti, Flamur Krasniqi dhe Blerim Kurteshi, të njëjtën ditë dhe të njëjtin vend kanë sulmuar të dëmtuarit Faton Shaqiri, Edon Haliti, Edonis Shaqiri, Mërgim Bllaca dhe Riad Veseli, duke përdorur forcën dhe duke i goditur me shqelma dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit.