Gjilan - I akuzuari për gjuajtje me armë pa leje e pranon fajin

Ramadan Ademi, i akuzuar për armë mbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Ademi, ka bartur armë pa leje dhe ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

Akti akuzues thotë se i akuzuari në mënyrë të pa-autorizuar ka bartur armë pa leje dhe në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një revole të tipit E-col me gaz, me të cilën kishte shtënë tri herë në ajër.

Tutje sipas aktakuzës, pasi një punëtor i KEDS-it ishte duke e marrë gjendjen në njehsorë elektrik, i njëjti sulmohet nga qeni i tani të akuzuarit, kurse i akuzuari e nxjerr revolen dhe për të zmbrapsur sulmin e qenit gjuan tri herë në ajër.

Në seancën e sotme që ishte fillestare, prokurori Arben Kadriu e njoftoi Gjykatën se kanë arritur marrëveshje me të akuzuarin për pranimin e fajësisë.

“Ne mbetemi në tërësi pranë marrëveshjes së arritur me të akuzuarin bashkë me mbrojtësen e tij, andaj i propozojmë Gjykatës që të aprovoj në tërësi të njëjtën”, tha prokurori Kadriu.

Mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Albina Halimi, gjithashtu tha se i propozojnë Gjykatës aprovimin e marrëveshjes të cilën e kanë lidhur me Prokurorin.

“Klienti im dhe unë kemi arritur marrëveshje me Prokurorin dhe e kemi negociuar edhe llojin e dënimit, i propozoj Gjykatës që të aprovoj këtë marrëveshje dhe klientit tim të ia mundësojë që dënimin sipas marrëveshjes të ia mundësoj pagesën me këste”, tha avokatja Halimi.

Fjalën e avokates se tij e mbështeti edhe i akuzuari Ramadan Ademi, duke mos thënë diçka tjetër.

Në fund të seancës gjykatësi Aziz Shaqiri e aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë.