Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Gjilan - Dështon seanca ndaj të akuzuarve për trafikimimin e foshnjes

Seanca ndaj Ruzhdi Faikut, i akuzuar për trafikim me njerëz dhe mbajtje të kundërligjshme e fëmijës ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Gjilanit.

Shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e të akuzuarit dhe për arsye se lënda gjendej në Gjykatën e Apelit.

Kryetari i trupi gjykues Zyhdi Haziri njoftoi të pranishmit në seancë se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Seanca e sotme është shtyer për muajin nëntor.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Ruzhdi Faiku akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka trafikuar të porsalindurin N.N. pas lindjes nga e ëma Nexhmije Ahmeti, pasi që në oborrin e Spitalit Regjional te Gjilanit e ka detyruar të dëmtuarën Nexhmije që t`ia jap fëmijën e porsalindur tani të akuzuarës Raqibe Amidit.

Po sipas prokurorisë e akuzuara Raqibe Amidi prej vitit 2003 e ka marrë dhe e ka mbajtur fëmijën N. N.  nga personi tjetër edhe pse të njëjtës nuk i është besuar nga organi i kujdestarisë dhe se e njëjta nuk i ka përfillur procedurat lidhur me marrjen, dhe mbajtjen e fëmiut.