Foto-ilustrim

Gjilan, 3 vite burg për drogë

Fuad Haxhiu për të dytën herë brenda 3 muajve është dënuar nga Gjykata e Gjilanit për drogë.

Gjykata e Gjilanit ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Fuad Haxhiu duke i shqiptuar dënim prej 3 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari më 2 shkurt 2020 në mënyrë të paautorizuar ka blerë dhe poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 1.2 kilogram, drogë që është gjetur në shtëpinë e tij në fshatin Kabash të Vitisë gjatë bastisjes nga Policia.

Në këtë operacion është sekuestruar droga si dhe një peshore.

Kryetari i trupi gjykues, Naser Maliqi, ka nxjerrë aktvendim me të cilin ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari, ndërkohë dënimin e shqiptuar me burgim dhe gjobë e ka vlerësuar në harmoni me peshën e veprës penale, pasi që i njëjti është një recidivist i këtyre veprave.

Gjithashtu është nxjerrë aktvendim me të cilin të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Prokuroria në këtë rast përfaqësohej nga prokurori Shaban Spahiu.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast dhe këtë të akuzuar pasi i njëjti edhe më parë ishte dënuar për këtë natyrë të veprave penale.

Kujtojmë se tashmë i dënuari Haxhiu kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Gjilanit dhe në muajin dhjetor ishte dënuar së bashku me dy të akuzuar të tjerë në një rast tjetër gjyqësor gjithashtu për drogë.

Gjilan, dënohen me nga 13 muaj burg të akuzuarit për 15 kilogramë drogë