Gjilan, 20 muaj burg për falsifikimin e pronës së vëllait

Gjykata e Gjilanit e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim prej 20 muaj të akuzuarit F.S.

I akuzuari me datën 7 prill 2015, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve më qëllim të përfitimit pasuror kishte mashtruar H.Sh tani të dëmtuarin në atë mënyrë pronën e paluajtshme të vëllait të tij A.S, e kishte evidentuar në emër të tij duke përpiluar kontratën për  shitblerjen e patundshmërinë në shumë prej 143,130.00 euro të cilën e kishte vërtetuar te noterja Liljana Keniq në bazë të autorizimit të falsifikuar.

Vlera e kontraktuar ishte 34.000.00 euro për të cilën shumë ishte dëmtuar H.Sh.

I akuzuari F.S ngarkohet nga prokuroria se kishte kryer dy vepra penale Mashtrim dhe Legalizimin e rremë të të përmbajtjes. Për veprën e parë, gjykata i shqiptoi dënim prej 18 muajsh burgim ndërsa për veprën e dytë 3 muaj e në përputhje me Kodin e Procedurës, i shqiptoi një dënim unik prej 20 muajsh për dy veprat.

I dëmtuari për realizimin e kërkesës pasuroro-juridike u udhëzua në kontest civil.

Palët kanë të drejtë në apelimin e verdiktit në afat prej 15 ditësh në gjykatën e Apelit