Foto: KALLXO.com

Gjashtë të arrestuarit për prodhimin e marihuanës në Suharekë dalin para gjykatës

Gjashtë të arrestuarit në rastin ku po dyshohen se kanë krijuar laboratorin me marihuanë në fshatin Shirokë të Suharekës, kanë dalë përpara Gjykatës së Prizrenit.

Alajdin Ramadani, Milazim Voci, Erol Marku, Filip Mishevski, Alban Maloku dhe Ertan Dacic u sollën të prangosur për ta dëgjuar kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, deklaroi se në rastin konkret qëndrojnë të gjitha kushtet ligjore të parapara për caktimin e masës së paraburgimi.

Sipas Gashit, hetimet e filluara më 4 shkurt 2022 kanë rezultuar me 3 të arrestuar ndërsa, me veprimet e ndërmarra më 16 shkurt, policia ka rritur të arrestojë edhe pesë persona.

Në këtë drejtim, prokuroria ishte në fazën e zbulimit të provave se kush janë bashkëpunëtorët e tjerë në këtë rast. Prandaj, paraburgimi konsiderohej i domosdoshëm.

“Duke qenë se jemi në fazën e hetimeve dhe zbulimit të provave se kush janë bashkëpunëtor të tjerë në këtë rast si dhe për ku ishte destinuar substanca narkotike e llojit marihuanë, ka arsye se të njëjtit mund t’i ndryshojnë provat si dhe mund të ndikojnë në dëshmitarë”, shtoi Gashi.

Sipas Prokurorisë, arsyet e masës së paraburgimit po ashtu konsistojnë në faktin se katër prej tyre janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të njëjtit mund të fshihen apo të largohen nga territori i Kosovës.

Në anën tjetër, gjashtë të pandehurit së bashku me mbrojtësit e tyre  kundërshtuan masën e paraburgimit dhe nga gjykata kërkuan që t’i shqiptohet ndonjë masë tjetër alternative.

Murtez Jaha, avokat i të pandehurit Alajdin Ramadani, masën e paraburgimit e konsideroi si masë shumë të rëndë duke kërkuar që të njëjtit t’i shqiptohet ndonjë masë më e butë.

Kurse, nga mbrojtësit e të pandehurve Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Alban Maloku dhe Ertan Dacic u  propozua masa e dorëzanisë.

Avokati Natal Bullakaj shtoi se i mbrojturi i tij Milazim Voci në ditën kur ishte arrestuar nuk kishte qenë në vendngjarje, dhe sipas avokatit, mulliri ku ishin gjetur substancat narkotike nuk ishte në posedim të klientit të tij.

“Mulliri nga data 1 gusht 2021 nuk është në posedim dhe shfrytëzim të të mbrojturit tim pasi që të njëjtën ai e ka dhënë me qira, në këtë mënyrë nuk ka pasur qasje në objekt”, tha avokati Bullakaj.

Lidhur me masën e paraburgimit, gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha do të marrë vendim të veçantë.

Sipas prokurorisë, të pandehurit Alajdin Ramdani, Milazim Voci, Erol Marku, Filip Mishevski, Alban Maloku dhe Ertan Dacic kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike.

KALLXO.com

Tutje thuhet se në bashkëkryerje me njëri – tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë të komunës së Suharekës, dhe atë në katin e 7-të.

“Më datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjella bimë të dyshuara të llojit kanabis-sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, të pandehurit kishin për të kryer veprën penale – kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.

Po ashtu, të pandehurit e lartcekur, sipas prokurorisë, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar të llojit marihuanë, të cilën e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të paidentifikuar.

Në këtë mënyrë, të pandehurit kishin për të kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në aksionin në Shirokë të Suharekës, policia ka kapur në flagrancë dhe ka arrestuar 6 persona, 4 prej tyre shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Kosovës, nën dyshimin për veprën – kultivim i bimëve narkotike.

Mbi 1 milion euro mund të shkojë vlera e mbi 1 mijë fijeve të kanabisit të konfiskuara në këtë operacion anti-drogë. Të dhënat tregojnë që pesha e prodhimit të tyre shkon mbi 1 mijë kilogram.