Foto-ilustrim

Gjakovë, viktima e tentim dhunimit rrëfen ngjarjen

I pandehuri F.K. nga Rahoveci është ulur sot në bankën e të akuzuarit për t’u përgjigjur për veprën penale – tentim dhunimi.

Në Gjykatën e Gjakovës sot është dëgjuar dëshmia e viktimës.

Ajo tregoi se në ditën kritike po kthehej nga Prizreni, ku kishte qenë për kurs.

“Kur kam zbritur nga autobusi kam ecur pakëz pasi që babi ishte nisur për t’më marrë, kur papritmas më ka dalë ky njeri”, deklaroi e dëmtuara.

Ajo tha se i akuzuari fillimisht e kishte kapur për dore e për flokë.

“Ai më ka kërkuar para. Unë i kam thënë: Lëshom! E pastaj e kam gjuajtur çantën në tokë dhe i kam thënë: Merri! Por ai më tërhoqi zhag dhe tentoi me m’çu prapa shkurreve”, deklaroi ajo.

“Unë kam bërtitur, por ai filloi t’më prekë në trup dhe më tha: Bërtit sa të dush se s’ka kush me t’pshtu”, shtoi e dëmtuara.

Ajo tregoi se pas kësaj erdhi babai i saj me veturë.

“I akuzuari filloi të ikte por babai arriti ta zinte dhe e pyeti: Kush je ti, çka kërkon prej vajzës teme?  Ndërsa ai i tha: Çdo ditë jam tu e pa e sot vendosa me i dal.  Dhe më pas e lajmëruam Policinë”, deklaroi e dëmtuara.

Më pas, në Gjykatë ka dëshmuar edhe babai i të dëmtuarës.

Ai tregoi se atë ditë ishte nisur për ta marrë vajzën e tij dhe rrugës kishte dëgjuar vajzën duke bërtitur: “O bab, kuku!”.

“Kur arrita te vajza, në afërsi prej 5 metra, ajo më është rrëzuar në asfalt. E kam marrë dhe e kam futur në veturë dhe e kam kërkuar atë njeri që ishte fshehur në ara”, deklaroi babai i të dëmtuarës.

Ai tha se pasi e kishte zënë të dyshuarin e ka lajmëruar Policinë.

“Kur e kam nxënë atë njeri më ka thënë: “O mbytëm!” Dhe jam ndalur e kam lajmëruar Policinë”, tha ai.

Gjatë dhënies së dëshmisë, babai i vajzës tha se sa për të rasti le të mbyllet menjëherë nga Gjykata.

“Për mua ky njeri është i lirë. Bëni çka të doni. Qysh sot mbylleni rastin veç mos të del më në atë rrugë”, deklaroi ai.

Ndërsa e dëmtuara tha se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se nuk kërkon kompensim të dëmit.

I pandehuri F.K. ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës, në qershor të këtij viti, në afërsi të rrugës magjistrale Gjakovë-Prizren, në fshatin Slloven tek vendi i quajtur “Rezina”, i akuzuari F.K. dyshohet të ketë kryer veprën penale tentim dhunimi ndaj një vajze.

Derisa i akuzuari ishte duke punuar në arën e tij me kultivator, e dëmtuara zbret nga autobusi për të shkuar në shtëpi dhe këtu i akuzuari e ndalon në rrugë duke i thënë: “Qiti paret!”- thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se më pas, i njëjti i thotë “zogëz ty të kërkova”, e kap për dore, e tërheq, e prek në gjoks dhe tenton ta fusë prapa një shkurreje, mirëpo e dëmtuara fillon të bërtas dhe i akuzuari e lëshon dhe fillon të ikë.

Pas pak arrin babai i saj, i cili kishte dalë për ta marrë vajzën e tij me veturë, e zë të akuzuarin dhe e lajmëron Policinë.

Kallxo.com ka raportuar kur Prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Gjakovë: Vajza u tentua të dhunohet prapa shkurreve

www.kallxo.com