Gjakovë- Shtyhet gjykimi për fajde

Në gjykimin e Sylë Shalës, i akuzuar për fajde, sot në gjykatën e Gjakovës dështoi të dëgjohej dëshmitari Jeton Rexhepi.

Jeton Rexhepit i ishte dërguar thirrja e Gjykatës përmes Postës, por që ende nuk dihet nëse i njëjti e ka pranuar ftesën.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu, tha se derisa të sigurohet ky dëshmitar gjykimi i sotëm shty het për datën 22 nëntor.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Në seancën e kaluar kishte dëshmuar i dëmtuari Edmir Krasniqi, derisa një seancë kishte dështuar të mbahej.

Në këtë rast ishte kundërshtuar edhe aktakuza e Prokurorisë.

Sylë Shala nga Lipoveci i Gjakovës përshkruhet në aktakuzën e prokurorisë së Gjakovës si person që ofroj fajde me kamata të larta.

Prokuroria pretendon se Edmir Krasniqi në dhjetor të vitit 2017 kishte marrë nga Shala shumën 500 euro me fajde ndërsa kamata javore ishte 250 euro.

Aktakuza shpjegon se gjatë vitit 2018, i akuzuari Sylë i kishte dhënë edhe dy herë të tjera para me fajde të dëmtuarit Edmir, për të cilat babai i të dëmtuarit i ka paguar rreth 15 mijë euro kamatë.

Kamatat sipas prokurorisë kishin vazhduar edhe gjatë vitit 2019 ku i dëmtuari kishte paguar 2 mijë euro kamatë ndërsa i kërkoheshin edhe 3 mijë e 200 euro të tjera.

Shala ishte arrestuar nga policia gjatë këtij viti në një operacion të stimulimit.