Gjakovë, shtyhet gjykimi i burrit dhe gruas për rrahjen ndërmjet vete

Gjykata e Gjakovës ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj çiftit bashkëshortor N.N. dhe M.M., të akuzuar se kanë sulmuar njëri-tjetrin për shkak të shpenzimeve shtëpiake.

Sipas Prokurorisë, rasti i sulmit fizik mes çiftit bashkëshortor ka ndodhur në tetor të vitit 2019.

Seanca e paraparë për sot është shtyrë. Arsyeja e shtyrjes së seancës ishte mungesa e të akuzuarit N.N., të cilën mungesë e arsyetoi bashkëshortja e tij M.M., duke treguar që i njëjti gjendej në punë, pasi që punon si shofer i autobusit.

Prokuroria pretendon se përleshja mes burrit dhe gruas ka ndodhur pas një fjalosjeje.

Fillimisht, fjalosja kishte nisur për shkak të shpenzimeve shtëpiake dhe më pas secili duke përdorur forcën ndaj njëri-tjetrit kishin shkaktuar dhunë në familje, në shtëpinë e tyre të përbashkët.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se të dy kishin qenë të revoltuar dhe se me grushte në trup e duar i kishin shkaktuar dhimbje njëri-tjetrit.

Ky rast pritet të udhëhiqet nga gjykatësja Besarta Doli, më 4 mars.

 

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.