Gjakovë, sërish dështon seanca për grabitje

Ndue Lleshaj dhe Agnesa Dreshaj të akuzuar për grabitjen e A. B. sot ishin paraparë të ballafaqoheshin me disa dëshmitarë.

Mirëpo, kjo seancë nga trupi gjykues me kryetar Mentor Bajraktari dhe anëtarë Shaqir Zika e Myfera Hoxha, u shty për datën 7 dhjetor.

U.d. i kryeprokurorit të Gjakovës, prokurori Ali Uka, përmes telefonit ka njoftuar gjykatën se prokurori  Ramiz Buzhala nuk mund të paraqitet në seancë per shkaqe shëndetësore.

Edhe seanca e kaluar kishte dështuar.

Ndue Lleshaj dhe Agnesa Dreshaj ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, Agnesa Dreshaj dhe Ndue Lleshaj në bashkëkryerje në dhjetorin e vitit 2019 në Gjakovë i kanë grabitur para A. B.

Aktakuza thotë se e akuzura Agnesa Dreshaj me të dashurin e saj të mitur, A. B., kishin planifikuar që ta thërrisnin të dëmtuarin A. B. në banesën e saj. I dëmtuari kishte shkuar dhe në tavolinë kishte vendosur adapterin e telefonit dhe një prezervativ. Ai i kishte kërkuar të akuzuarës marrëdhënie seksuale.

Në aktakuzë thuhet se pastaj e akuzuara Agnesa Dreshaj përmes telefonit kishte njoftuar të dashurin e saj A. B., i cili sipas marrëveshjes paraprake qëndronte në një lokal së bashku më të akuzuarin Ndue Lleshaj. I mituri A. B. me vete kishte shufër prej gome dhe bashkë me Ndue Lleshajn hynë në banesë.

Aktakuza thotë se ata i janë drejtuar të dëmtuarit A. B. me fjalët: “Kush jeni ju?”, e më pas e kapin për krahu, e kontrollojnë dhe nga xhepi i pantallonave i marrin 185 euro dhe që të tre e shoqërojnë të dëmtuarin deri afër një hoteli dhe i drejtohen me fjalët: “Nëse rastin e paraqet në Polici, kena me të gjetë ku je e ku s’je”.

 

(Lajmi është edituar më datë 03.04.2021 te emri i të dëmtuarit për arsye të mos riviktimizimit të tij)