Foto: KALLXO.com

Gjakovë, rigjykimi për tentim vrasje, i dëmtuari sillet i prangosur nga burgu

Seanca e gjykimit të Driton Orllatit, i akuzuar për tentim vrasjen e Bashkim Elshanit në fshatin Brestovc të Rahovecit, nuk është mbajtur dhe është shtyrë për më 27 mars.

Avokati Sokol Dobruna, i cili mbron të akuzuarin, kërkoi nga Gjykata e Gjakovës shtyrjen e seancës me arsyetimin se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për përpunimin e lëndës, meqenëse dje është caktuar si avokat nga Oda e Avokatëve.

Ndërsa prokurori Ramiz Buzhala tha se bazuar në vërejtjet e dhëna nga Gjykata e Apelit, do të tërhiqet nga akuza për armëmbajtje pa leje ndaj të akuzuarit.

Në sallë të gjykimit ishte prezent edhe i dëmtuari Agron Orllati.

Për sot ishte planifikuar të dëgjoheshin një ekspert i balistikës dhe një i mjekësisë ligjore.

Në mungesë të avokatit, seanca ishte shtyrë edhe një herë tjetër.

Ndërsa, i dëmtuari Bashkim Elshani në seancën e sotme është sjellë i prangosur nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz.

Atje ai po mbahet për një rast tjetër.

Fillimisht, në këtë rast Bashkim Elshani kishte qenë i akuzuar, mirëpo Gjykata e Gjakovës e kishte liruar nga akuza për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa Driton Orllati ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje 3 vjet e 4 muaj e 10 ditë.

Më pas, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës, Bashkim Elshani pas një fjalosjeje me të dëmtuarin Agron Orllati tenton ta vrasë duke gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tij, duke e goditur në anën e majtë të kraharorit me pasoja të rënda trupore dhe rrezikshmëri për jetën.

Aktakuza shpjegon se më pas i akuzuari Driton Orllati duke qenë pjese e fjalosjes dhe pas plagosjes së vëllait të tij, Agronit, me armë zjarri e godet Bashkim Elshanin në buzën e sipërme të gojës e po ashtu e gjuan me një mjet mekanik dhe i shkakton lëndime të rënda në pjesën e pasme të kokës.

Veprat penale pretendohen se janë kryer në vitin 2012 si pasojë e një mosmarrëveshjeje.