Ilustrim: Kallxo.com

Gjakovë, Policia s'ka asnjë informacion për vajzën e zhdukur para 3 muajsh

Kanë kaluar 13 javë që nga zhdukja e një vajze të mitur nga Gjakova dhe Policia ende nuk ka arritur ta mësojë vendndodhjen e saj.

E mitura dyshohet se bashkë me një djalë, po ashtu i mitur, kanë dalë jashtë territorit të Kosovës.

Familja Derri po dyshon se vajza është arratisur bashkë me djalin e familjes Radosta.

Vajza nuk është kthyer në shtëpi që nga 14 qershori.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe njëherë Policinë e Gjakovës.

Komandanti Kristë Gjokaj ka thënë për KALLXO.com se ende nuk janë gjetur dy të miturit.

“Ne ende nuk kemi arritur ta identifikojmë vendndodhjen e saktë të tyre, por dyshohet që ata kanë dalë në Mal të Zi. Do të përpiqemi dhe në momentin kur do i gjejmë do e njoftojmë edhe Prokurorinë, në mënyrë që të vazhdohet procedura penale”, tha Gjokaj.

Komandanti bëri të ditur se çifti i zhdukur që të ikte ishte ndihmuar nga babai i djalit, Blerim Radosta, dhe se i njëjti ishte arrestuar dhe ishte mbajtur nën masën e arrestit shtëpiak.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Misteri i zhdukjes së vajzës së mitur nga Gjakova

Familja Derri ende janë në pritje të ndonjë lajmi për vajzën e tyre.

Ata pretendojnë se në zhdukjen e vajzës së tyre kanë gisht familja Radosta.

Ndërsa prokurori i këtij rasti, Ramiz Buzhala, këtë rast e ka cilësuar si bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç dhe i njëjti kishte bërë kërkesë për urdhër-arrest ndërkombëtar.