Gjakovë - Paradite pranon fajin, pasdite dënohet për 5 euro dhënie ryshfet

Andon Vasaliu, i akuzuar për dhënie ryshfeti në vlerë prej 5 euro, të dhëna një zyrtari policor në pikën kufitare në Qaf Morinë, me qëllim të lehtësimit të kontrollit kufitar, u dënua me burgim me kusht dhe gjobë.

Gjykata e Gjakovës, Andon Vasaliun e dënoi me burgim me kusht prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda 2 viteve i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale.

Poashtu, gjykata ia shqiptoi gjobën prej 300 eurove, të cilat duhet t`i paguaj në afat prej 15 ditëve.

Vasaliu, sot gjatë ditës kishte pranuar akuzën që i vihej në barrë nga Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, Andon Vasiliu akuzohej për veprën penale të dhënies së ryshfetit, të bërë në muajin shkurt të vitit 2020.

Prokuroria pretendonte se në pikën kufitare në Qaf Prush, Vasiliu kishte ofruar 5 euro zyrtarit policor Sali Berisha, me qëllim të lehtësimit të kontrollit kufitar.

Në aktakuzë thuhet se këtë veprim e kishte bërë pasi që në veturë kishte pllaka të mermerit për t’i dërguar në montim në fshatin Nivokaz në Gjakovë.