Foto: Kallxo.com
Gjakovë, paraburgim për policin dhe grupin e arrestuar për bixhoz ilegal
Katër persona janë arrestuar dje për bixhoz të paligjshëm në qytetin e Gjakovës.
KALLXO.com mëson se të dyshuarit Jashar Osdautaj, Gegë Lleshaj, Arlind Hajdari dhe Leonard Elezaj po dyshohen të kenë kryer veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në bashkëkryerje.
Jashar Osdautaj nga Deçani është zyrtar policor në ekipin reagues në Stacionin Policor në Gjakovë.
Të njëjtit u sollën sot pranë gjykatës së Gjakovës të prangosur dhe nën përcjelljen e zyrtarëve policorë, mirëpo asnjëri prej tyre nuk kishte vënë maskën si masë mbrojtëse kundër pandemisë.
Prokuroria kishte paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit, ndërsa sot Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj të arrestuarve është caktuar masa e paraburgimit.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit për shkak se te të njëjtit ekziston rreziku u arratisjes dhe asgjësimi i provave apo ndikimi në dëshmitarë.
Të pandehurit gjenden në ndalim policor që nga dita e djeshme.
Operacioni që ishte zhvilluar dje ditën e diel në orën 2 të mëngjesit, kishte pasur shënjestër një zyrtar të Policisë, për të cilin KALLXO.com kishte mësuar se dyshohej që përfitonte shuma të mëdha parash nga aktiviteti i bixhozit.
Bashkë me të ishin arrestuar edhe 3 persona të tjerë, pjesëtarë të këtij grupi.
KALLXO.com dje kishte raportuar dhe siguruar fotografi nga operacioni i arrestimit të tyre.
Seanca e paraburgimit për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.