Pjetër Ndrecaj në gjykimin për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij

Gjakovë, nesër shpallet aktgjykimi ndaj Pjetër Ndrecajt, i akuzuar për vrasjen e gruas dhe vajzës së mitur

Gjykimi maratonik ndaj Pjetër Ndrecajt, i akuzuar se në gusht të vitit 2018 kishte vrarë gruan e tij Valbonën dhe vajzën 9 vjeçare, nesër pritet të marrë fund.

Gjykata e Gjakovës gjatë ditës së nesërme për herë të dytë pritet të shpallë aktgjykimin ndaj vrasësit të dyshuar të gruas dhe vajzës së tij.

Ky aktgjykim do të shpallet nga kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, i ndihmuar edhe nga gjyqtarët Ilir Rashkaj dhe Mizair Shabani.

Ndaj aktgjykimit do të ketë edhe mundësi ankese sërish në Gjykatën e Apelit.

Aktgjykimet e Gjykatës së Gjakovës dhe të Gjykatës së Apelit u hodhën poshtë nga Gjykata Supreme, e cila urdhëroi gjykim nga fillimi.

Para dy ditësh ishte dhënë edhe fjala përfundimtare e këtij rasti.

Pjetër Ndrecaj kishte dhënë mbrojtjen e tij, ku kishte treguar se në Polici kishte kuptuar se e kishte vrarë gruan e tij, Valbonën.

Në këtë rast kishte dëshmuar edhe eksperti i psikiatrisë.

Para tre javësh, një seancë e këtij rasti ka dështuar të mbahej.

Ndonëse kanë kaluar 2 vite nga vrasja e dyfishtë, ky rast ende po vazhdon të gjykohet.

Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur më 11 mars.

Në këtë rast pritet që të sillet shkresa e ekzaminimit psikiatrik e më pas edhe mbrojtja e të akuzuarit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin.

Në këtë rast gjyqësor kishin dëshmuar edhe dy vëllezërit e Valbonës, Shkelzen dhe Kujtim Marku.

Në disa seanca Pjetër Ndrecaj ishte sjellë me jelek antiplumb në Gjykatë.

Një seancë nuk ishte mbajtur me kërkesë të Prokurorisë.

Në një seancë të mbajtur në muajin tetor ishte kërkuar raport psikiatrik për të akuzuarin.

Në seancën fillestare, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Ai ishte sjellë në Gjykatë i lidhur me zinxhirë.

Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i Gjykatës dhe Prokurorisë.

Pjetër Ndrecaj ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.