Gjakovë - Ndërpritet gjykimi për grabitje në tentativë

 

Trim Vokshi i akuzuari për grabitje në tentativë në “Ria Capital”, është ballafaquar më dëshminë e punëtorit të institucionit ku kishte tentuar ta kryente grabitjen në prill të 2019-ës.

Pajtim Hajdari, tregoi se personi i dyshuar ju kishte thënë “qitni lekët”.

Ai tha se personi që ju kishte hyrë në vendin e punës, kishte qenë i maskuar dhe me armë.

“Ngjarja ka ndodhur rreth 30 sekonda, derisa ka ardhë një klient për pagesë dhe pastaj i dyshuari ka ikur”, deklaroi dëshmitari Pajtim Hajdari.

Më pas, prokurori Ali Uka kërkoi që kjo seancë të ndërpritej, me arsyetimin se duhet të shkojë në Prishtinë, sepse ka një familjarë të sëmurë.

Gjykatësi Shaqir Zika caktoi datën 20 janar, për dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë, të cilët ishin paraparë të dëgjoheshin sot.

Në muajin tetor ishte kundërshtuar aktakuza e Prokurorisë.

Trim Vokshi, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, në prill të këtij viti në filialin “Ria Capital”, dyshohet se i akuzuari Trim Vokshi në bashkëkryerje me Sinan Kamerin kishin kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Aktakuza shpjegon se Trim Vokshi kishte qenë i maskuar dhe me armë në dorë ndërsa Sinan Kameri kishte bërë roje.

Trim Vokshi kishte hyrë brenda në objekt dhe personave Arbnore Sada, Pajtim Hajdari, Renata Mati-Emini ju drejtohet me fjalët “qitni leket”, e më pas kishte bërë alarmi dhe i njëjti kishte ikur me armë në dorë, thuhet në aktakuzë.

Kujtojmë se personi me emrin Sinan Kameri, ende nuk është gjetur nga Policia.