Ilustrim - Gjykata e Gjakovës

Gjakovë, kthehet në rigjykim rasti i katër të akuzuarve për grabitjen e 2,500 eurove

Rasti i katër të akuzuarve për grabitje të dënuar me 15 vjet burg është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit në atë të Gjakovës.

Gent Vatnikaj, Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj, akuzohen se duke vepruar në bashkëkryerje ia kanë grabitur 2,500 euro të dëmtuarit Rron Krasniqi.

Nga gjykata e Gjakovës, ata ishin dënuar me 15 vjet burg dhe 2,600 euro gjobë. Përveç kësaj, ata ishin obliguar që t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar Rron Krasniqit.

Katër të akuzuarit gjenden në paraburgim që nga data 14 maj 2019.

Mirëpo, një vendim të tillë e kishin kishte kundërshtuar Prokuroria bashkë me avokatët e të akuzuarve.

Pas ankesave, gjykata e Apelit kishte vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së Gjakovës duhet anuluar.

Në Aktvendimin e gjykatës së Apelit, thuhet se vendimi i gjykatës së Gjakovës është i paqartë dhe se arsyetimi i saj është i pamjaftueshëm.

Apeli thotë se provat nuk janë analizuar secila veç e veç dhe se nuk janë arsyetuar veprimet individuale të secilit prej të akuzuarve.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë duhet t’i administrojë dhe vlerësojë të gjitha provat, e pastaj të marrë vendim.

Në gusht të vitit 2019, ata ishin deklaruar të pafajshëm duke i mohuar akuzat e Prokurorisë së Gjakovës.

Ndërsa, në janar të këtij viti, gjykatësi Shaqir Zika, i ndihmuar nga gjyqtarët Ilirjana Hoti dhe Manduhije Syla, kishin dënuar të akuzuarit me burg dhe gjobë.

Gent Vatnikaj ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg dhe 800 euro gjobë.

Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj, ishin dënuar me nga 3 vjet e 6 muaj burg dhe gjobë prej 600 euro.

Sipas aktakuzës, më 14 maj 2019, dyshohet se pasi që janë marrë vesh mes vete, katër të akuzuarit kanë kryer veprën penale të grabitjes, ku i dëmtuari Rron Krasniqi me qëllim të blerjes së narkotikëve, kishte hipur në veturën e tipit “Renault”, në të cilën kanë qenë katër të akuzuarit dhe janë nisur në drejtim të Shkukëzës.

Aktakuza thotë se i pandehuri Gent Vatnikaj ia kishte vendosur revolen në bark Rron Krasniqit dhe ia kishte marrë 2,500 euro, duke e lënë të dëmtuarin Rron Krasniqi në rrugë.