Gjakovë, kryeshefi i ujësjellësit e pranon fajin për deklarim të rrejshëm të pasurisë

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë së ujësjellësit KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, doli sot para gjyqit të Gjakovës për raportim të rremë të pasurisë.

Akuza e ngritur në maj të këtij viti nga prokurori Enis Gashi tregon se këto veprime i akuzuari i ka kryer në muajin mars të vitit 2019.

Me kërkesë së të akuzuarit, aktakuza e Prokurorisë së Gjakovës nuk u lexua.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Ahmeti, avokati Bajram Morina deklaroi se i mbrojturi i tij e pranon fajësinë dhe i njëjti i propozoi gjykatës që në shqiptimin e dënimit të ketë parasysh rrethanat lehtësuese.

“Nëse gjykata vlerëson t’i shiptojë dënim me burgim, do të kërkonim që i njëjti dënim të i zëvendësohet me gjobë”, deklaroi avokati Bajram Morina.

Gjykatësja e rastit Ilirjana Hoti, caktoi ditën e nesërme për shpalljen e aktgjykimit.

Në fund kur mbaroi seanca, përfaqësuesja e Agjencisë Kundër Korrupsion, Lindita Ademi, erdhi me vonesë dhe e njëjta u konstatua në procesverbal.

Sipas aktakuzës, me 22 mars të vitit 2019, i akuzuari Ahmeti nuk kishte paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratën për raportimin e pasurisë, ashtu që duke qenë në cilësi të kryeshefit të KRU “Gjakovë”, për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2018 ka paraqitur raport të rremë të pasurisë.

Në aktakuzë thuhet se ai nuk e ka shënuar shumën e saktë të të hyrave të përgjithshme, duke paraqitur pagën mujore 1 mijë e 290 euro, (1.290×12=15.480), ndërsa sipas të dhënave rë siguruara nga kompania e ujësjellësit shuma totale e të hyrave rezulton të jetë shuma neto prej 18 mijë e 933 euro.

Në këtë mënyrë, sipas akuzës Ahmeti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publik.