Foto: KALLXO.com

Gjakovë - Kërkohet paraburgim ndaj personave të dyshuar për vjedhje të rëndë

Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit kundër dy të dyshuarve për vjedhje të rëndë.

Të dyshuarit Xh. M., dhe B. V., po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer vjedhje të rëndë në gurëthyesin “Shkozë”, në komunën e Rahovecit.

Prokuroria e Gjakovës, njofton se të dyshuarit kishin vjedhur makineritë në vlerë prej 250 mijë eurove.

“Në rrugën regjionale Rahovec-Suharekë, në gurëthyesin “Shkoza”, në Rahovec, dy të pandehurit në bashkëkryerje, duke i ndarë rolet, vjedhin pasurinë e të dëmtuarit, shtetas turk E. E.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin shfrytëzuar momentin kur punëtorët e gurëthyesit nuk kishin qenë prezent në punëtori dhe bashkë me një të dyshuar të tretë, B. I., ishin dakorduar për blerjen e pajisjeve në atë gurëthyes.

“Dy të dyshuarit së pari kontaktojnë me të pandehurin B. I., me të cilin  paraprakisht i prezantohen si pronar të gurëthyesit, e më pas dakordohen që pajisjet metalike i njëjti ti blejë në vlerë 4,400.00 euro, ku të nesërmen që të tretë pajisen me mjete të përshtatshme për prerjen e pjesëve metalike dhe transportimin e tyre, duke marrë  pjesë të ndryshme të makinerisë së gurëthyesit, ku sipas pronarit kanë arritur të shkatërrojnë pjesërisht pronën e tij, ku vlera e demit ka arritur shumën rreth 250,000.00 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.

Në këtë rast, Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit prej një muaji.

Kallxo.com ka raportuar kur të njëjtit ishin arrestuar nga ana e Policisë.

Rahovec – Arrestohen 3 persona për vjedhje të makinerive të gurthyesit